Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në vazhdimin e 9 shtatorit. Deputetët kanë zgjedhur Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ngërçi tash u krijua te votimi i nënkryetarëve.
Vazhdimi i seancës u shty për 11 shtator, në orën 11. Pas propozimeve, Haxhiu kërkoi pauzë për t’u konsultuar për mënyrën e votimit, në pako të plotë apo jo. Ndërkaq pas saj, ajo u përplas me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, për mënyrën e propozimit duke i kërkuar ta tërheqë fjalimin. Simiq qe shprehur se propozimin e bën “në emër të popullit serb”.
Haxhiu po ashtu bëri të ditur se as propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike për nënkryetarë, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, nuk kanë mbështetjen për t’u zgjedhur. Detaje për këtë qëndrim dha deputetja Arbërie Nagavci që e lidhi me deklarimet e Çitakut dhe Shalës për të mos marrë pjesë në votimin e presidentit.
Ajo i akuzoi të dy se “po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”. Ndërkaq partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë akuzuar VV-në për bllokadë të qëllimshme. Përparim Gruda i PDK-së ka thënë se partia e tij ka votë për cilindo nënkryetar, ndërsa Jehona Lushaku e LDK-së mbrojti kandidaturën duke thënë se “përvoja e tij i jep nder Kuvendit”./tv21.tv/










