Si dhe përse u gjend Basha në politikë dhe cilën quan “periudhë të errët stanjacioni”?

Që kur u shfaq në publik në pranverë të 2005-ës, duke qenë një prej emrave të KOP-it demokrat para zgjedhjeve, Lulzim Basha kurrë nuk i ka rrëfyer publikut se si u gjend në politikë, e pse pikërisht në PD. Në fakt, dhe as është pyetur kurrë për këtë, në asnjë lloj interviste që i është bërë. Opinioni është pajtuar me faktin se ai ka qenë një i njohur i Argita Berishës në kushtet kur të dy punonin për organizatat ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës, e ka qenë pikërisht e bija e ish-kryeministrit që është investuar ta afrojë pranë të atit që priste të rikthehej në pushtet.

Nga ana tjetër, Rama që gjendet përballë tij si rival i drejtpërdrejtë, ka një tjetër rrugëtim dhe tërësisht të qartë për publikun, pa asnjë lloj dritëhijeje, për atë se si gjendte politika aktive, ndërkohë që deri në vitin ’98 kur ndodhi kjo, me emërimin nga Nano si ministër Kulture, ai gëzonte një njohje e status të fuqishëm publik, si një ndër zërat më imponues të kritikës publike karshi politikës, komuniste e post-komuniste, dukë qenë dhe një ndër themeluesit e publicistikës të modelit të viteve ’30, së bashku me Klosin e Lubonjën, me të famshmen revistën “Përpjekja”.

Ndërkohë te Basha, nëse i heq statusin politik, pothuajse nuk mbetet asgjë prej arsyeve se përse duhet të njihet në publik. Basha u fut në politikë me zero njohje publike. Madje edhe me shkollimin e tij si jurist, në të gjithë vitet e roleve të tij politike, si ministër, kryetar bashkie, e së fundi kryetar opozite, ai në asnjë rast e në asnjë rrethanë nuk ka mundur të përçojë mesazhin e një adapti në çështje juridike. E kjo, duke theksuar faktin se pothuajse të gjitha zhvillimet politike janë të shoqëruara nga sfida juridike. Ndryshe, nëse Basha do kishte dobësi politike, së paku në aspekte juridike do jepte spektakël publik në përballje më kundërshtarin, gjë që nuk ka ndodhur në 14 vjet, sa ai është në politikë.

Por si e shpjegoi të gjendurit e tij aty? “Ajo që më ka motivuar për të hyrë në politikë është padrejtësia që shikoja në vend. Lufta ndaj padrejtësisë është lajtmotivi im. Fundi i padrejtësisë, gjëja më e rëndësishme”, kanë qenë këto frazat e Bashës në një takim në Shkodër.

Nuk është e vështirë ta dallosh në to sforcimin për të thënë një gjë “të lehtë”, ku edhe formulimi i varfër gjuhësor, e lë dramatikisht të klisheizuar si shpjegim. Pos kësaj, e thotë këtë pasi ka lënë pas 14 vite protagonizëm politik e jo në start të një protagonizmi, ku mundet që ajo të zinte vend, ose thënë ndryshe, të prekte ndonjë zemër, ndonjë ndërgjegje. Dhe në atë që ka lënë pas, është shumë e vështirë t’i lexohet ky motiv, kjo arsye, aq më tepër që jashtë ligjërimit ngushtësisht politik, i (vetë)dënuar të ketë dhe një stil berishist por pa aksent verior, Basha nuk ofron identitete jashtëpolitike, nëpërmjet së cilave njeh te ai dhe botëkuptime kulturore apo ndjesi sociale. Dhe 14 vitet e përvojës së deritanishme politike, më tepër e kanë dënuar në perceptimin publik si një “bir” të Berishës, deri në pikën e të mospaturit një identitet të vetin, një origjinalitet, se sa si njeri, siç pretendon, se ka për kauzë luftën ndaj padrejtësive. Më së paku do kishte patur një fërkim me Berishën po të qenë kështu, ndërkohë që si ministër drejtësie nuk ndërmorri ndonjë reformë a solli ndonjë risi në drejtim, për të dhënë mesazhin se qe aty me misionin e vënies së drejtësisë, duke nisur pra që nga ajo e termave ligjorë.

Po në Shkodër, Basha ofroi për herë të parë dhe një togfjalësh të padëgjuar deri më sot në ligjërimin e përgjithshëm politik apo dhe mediatik të pas ’90-ës: “periudha e errët e stanjacionit”

“Ajo që po përjetojmë sot nuk krahasohet as me periudhën më të errët të stanjacionit”, ishte fraza e tij, cituar nga TCH. Pyetja e parë që të vjen ndërmend është se për cilin stanjacion e ka fjalën, për ç’vite të këtij stanjacioni? Mos ka dashur të thotë tranzicion dhe e ka ngatërruar me stanjacion? Logjikisht duhet të jetë kjo dhe më mirë të jetë kjo, pasi Shqipëria nuk ka patur ndonjë periudhë, para apo pas komunizmit që të quhet si stanjacion. Po, ka patur një peridhë të vështirë, atë ’91-’92, por bash ajo ka qenë tranzicion e jo stanjacion. Sepse është pikërisht kjo periudhë e lëvizjes së gjërave me një dinamikë të atillë sa e mbante nën tension shoqërinë, nga ana tjetër, në terma përjetimesh politike ishte plot pozitivitet, pasi diktohej nga fryma e ndryshimit, e një epoke të re që po afrohej. Ah, nëse është fjala në terma ekonomikë, po, këtu ka të drejtë. Por politikisht nuk ka qenë ashtu. Çështja është se ne sot ekonomikisht jemi më mirë e politikisht më keq. Kjo, edhe për faj të Bashës që nuk frymëzon dot, diçka që cinikisht e ka identitare, në boshllëkun e përgjithshëm identitar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu