Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA këtë javë pritet të vendosin se si do të jetë qëndrimi i tyre për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Përfaqësuesit e lartë të këtyre dy partive kanë theksuar se këtë javë kryesitë partiake do të vendosin se çfarë do të ndërmarrin për raundin e dytë, apo do të përsërisin qëndrimin e njohur që qytetarët të vendosin. Derisa Lëvizja BESA për sot ka thirrur mbledhjen e këshillit qendror, ASH një vendim të kryesisë do ta shpalos të mërkurën ose enjten.
“Të mërkurën ose të enjten do të thërrasim kryesinë, ku do të vendosim se si të veprohet në raundin e dytë”, theksoi sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari.
“Kemi thirrur mbledhjen e këshillit të përgjithshëm, ku do të vendosim për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale”, theksoi sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha. Dy partite pas mbledhjeve të tyre do të merren vesh për një qëndrim të përbashkët. Në raundin e parë këto dy parti mbështetën kandidatin Blerim Reka, i cili tuboi rreth 80 mijë vota. Reka bashkë me dy liderët theksuan paraprakisht se nuk do të bëjnë tregti me votat e votuesve të tyre, një praktikë që deri tani është bërë nga parti dhe konkurrentë në ciklet zgjedhore.










