Ashtu sikundër u paralajmërua, Kryeministri Edi Rama po prezanton sot paketën AntiKÇK. Fillimisht, Rama është ndalur në ditën kundër dhunës ndaj grave nuk ka lënë pa shigjetuar atë që e ka cilësuar si plagën e madhe që kemi si pasojë e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar të drejtësisë në vend, që dhunuesit e grave i shpall të pafajshëm.
“Dy fjalë lidhur me momentin ku jemi për ditët e fushatës kundër dhunës ndaj grave. Pa dashur të marrë kohë me fjalët e përgjithshme dua të theksoj se edhe në këtë aspekt përsëri plaga e madhe e krijuar nga një sistem drejtësie i kalbur dhe korruptuar prek direkt integritetin fizik dhe dinjitetin e grave. Janë rrëqethëse dhe jo të pakta rastet kur dhuna ndaj grave ka kaluar mes sallës së gjyqit dhe dhunuesit janë shpallur të pafajshëm. Ashtu sikundër janë rrëqethëse rastet e përsëritjes së dhunës nga të njëjtë persona që kanë dalë të pafajshëm para gjyqit dhe janë rikthyer në sallën e gjyqit si dhunues përsëritës”
Sipas Ramës, ky është një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias dhe krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit.










