Kur Maqedonia mori statusin vend kandidat për aderim në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2005, duke u shndërruar kështu në lider në mes vendeve Ballkan në rrugën e euro-integrimeve, asnjërit nuk ia merrte mendja që një dekadë më pas, po i njëjti vend do të gjendet në fund të radhës pritëse para dyerve të BE-së.
Gjatë këtyre dhjetë viteve, koalicioni qeveritar VMRO-BDI përkundër premtimeve elektorale dhe deklaratave të vazhdueshme që numërojnë kyçjen në familjen evropiane, si interes të lartë shtetëror kanë katandisur shtetin në derexhenë – më larg se kurrë euro-integrimeve shkruan Portalb.mk.
Shkatërrimi i sistemit gjyqësor, mediave të lira, rritja e korrupsionit, përzierja e politikës në cdo segment të jetës, raste të montuara politike, përgjime masive, të gjitha këto devijime që solli binomi BDI-VMRO kanë devijuar rrugën evropiane të Maqedonisë dhe privojnë shtetin të merr trajtat dhe vlerat evropiane.
Portalb.mk ju numëron problemet kryesore përfshirë raste të ndryshme – me shembuj konkret që kanë ndodhur në këto dhjetë vite të ngjeshura në dhjetë pika, që janë shkatërruese të procesit euroatlantik:
- Humbja e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, e cila gjendet në një situatë ku sjellë vendime kontroverse.
- Mos-funksionimi i sistemit politik dhe shkatërrimi i pozicionit të Kuvendit, gjegjësisht kontrollit të tij ndaj punës së pushtetit ekzekutiv.
- Shkatërrim total i lirisë dhe mbylljes ose kontrollimit të hapësirës mediatike në shtet- televizioni a1, MPM, reklamat e Qeverisë, etj.
- Përsëri paraqitja në hartat e shteteve që identifikohen me raste të montuara politike dhe të burgosur politik – Lube Boshkovski, Kosmos, Rjeti, Monstra, Sopoti, Neshkovski …
- Humbja e pavarësisë së gjyqësorit dhe “gjykatës Swarovski”, ku gjykatësit zgjidhen nga fletoret e elitës qeveritare.
- Partizimi i administratës dhe rritja e përmasave epike, respektivisht deri te numri prej 130 mijë administratorëve shtetëror. Ky numër pastaj nuk i përfshinë administratorët publik dhe të punësuarit në ndërmarrjet publike.
- Fshirja e kufijve në mes shtetit dhe partisë në udhëheqjen me ministritë, por edhe në 10 muajt e fundit në udhëheqjen me partinë dhe qeverinë.
- Vendosja e principit të mos-sanksionimit dhe hedhjen e fajit diku tjetër për gabimet e bëra/shkeljet, respektivisht veprat penale. Rasti i fundit me Dime Spasov është vërtetim i kësaj.
- Korrupsioni dhe mosmarrja e asnjë aktiviteti me ballafaqimin e korrupsionit, veçanërisht me rastet sikur ajo me gjykatësin Vlladimit Pançevski, ish drejtor i DSK-së, ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe të ngjashme.
- Është prishur liria e shoqërimit dhe e drejta e shprehjes në protesta të cilat nuk gëzojnë siguri nga institucionet shtetërore, ndërkaq rastet e famshme si: sulmi ndaj studentëve (Sheshi Liria), vandalizmi ndaj zyrave të komunitetit LGBTI në Çarshinë e Vjetër, sulmi ndaj pjesëmarrësve në ceremoninë e përvjetorit të LGBTI-së në kafenenë “Damar”, etj.; nuk e marrin kujdesin e nevojshëm, e as zgjidhje juridike.