Situatë komplekse në veri, Biserko zbulon planin e Serbisë: Ja çka do të bëjë Beogradi

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka paralajmëruar se Beogradi do të vazhdojë të rritë tensionet me Kosovën.

Duke folur për gazetën “Bota sot” për barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës, Bierko e ka vlerësuar situatën si komplekse, pasi sipas saj, në kufi gjenden edhe paraushtarakët rusë Wagner dhe Ujqërit e natës.

Beogradi po rrit tensionet dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Dhe kështu ka qenë vazhdimisht. Situata po bëhet më komplekse sepse paraushtarakët rusë Wagner dhe Ujqërit e natës janë gjithashtu në kufi, si dhe grupet ekstreme serbe që gëzojnë mbështetjen ruse”, është shprehur Biserko.

Sipas saj, Serbia do të vonojë nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën, pasi ajo don vetëm ndarjen e saj. Siç ka deklaruar Biserko, në këtë çështje ka “gisht” Rusia.

Është e njohur se Beogradi gjithmonë ka dashur vetëm ndarjen e Kosovës dhe do të vonojë nënshkrimin e çdo marrëveshjeje për normalizimin për sa kohë që rusët janë në rajon. Dhe ata janë shumë të përfshirë në Serbi, Mal të Zi, Republika Srpska dhe deri diku në Maqedoni. Rusia nuk është e interesuar për zgjidhjen e problemit. Përkundrazi, do të mbajë status quo-në, pra konfliktin e ngrirë”, ka thënë Sonja Biserko.

Veriu i Kosovës po vazhdon të jetë i bllokuar tash e më shumë se dy javë, pasi serbët lokalë vendosën barrikada nëpër rrugë, në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Barrikada janë vendosur në Rudar, Sërboc, Sllatinë dhe Leshak, në rrugën kryesore Prishtinë-Rashkë.

Në Rudar janë ngritur edhe tenda. KFOR-i ka kërkuar heqjen e këtyre barrikadave, por nuk ka marrë vendim për të intervenuar. Ndërsa, krerët e institucioneve të Kosovës, kanë thënë se largimin e tyre mund ta bëjë edhe Policia e Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu