Nga 12 tetori 2025, Bashkimi Evropian do të nisë një sistem të ri kontrolli kufitar për të gjithë ata që nuk janë shtetas të vendeve të BE-së.
Me pak fjalë: nëse udhëtoni drejt një vendi europian dhe nuk jeni qytetar i BE-së, nuk do t’ju vendosin më vulë në pasaportë – sistemi do të bëjë gjithçka automatikisht.
Ky sistem quhet Entry/Exit System ose shkurt EES, dhe do të funksionojë në të gjitha vendet e zonës Schengen – përfshirë edhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.
Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e këtij ndryshimi, përfshirë shqiptarët që udhëtojnë pa viza drejt BE-së.
Çfarë do të ndryshojë konkretisht?
Kur kaloni kufirin për në një vend të BE-së, në vend të vulës në pasaportë, sistemi do të skanojë pasaportën tuaj dhe do të regjistrojë automatikisht:
kur keni hyrë,
kur keni dalë,
sa ditë keni qëndruar,
nëse e keni tejkaluar afatin e lejuar,
apo nëse hyrja ju është refuzuar.
Përveç kësaj, do të mblidhen edhe të dhëna biometrike si fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtave. Këto do të regjistrohen një herë në momentin e parë që udhëtoni pas hyrjes në fuqi të sistemit.
BE thotë se kjo mënyrë e re do të ndihmojë për të pasur më shumë siguri, për të parandaluar qëndrimet e paligjshme, dhe për të zbuluar më shpejt mashtrimet me identitet ose dokumente të falsifikuara.
A do ketë vonesa në kufi?
Ky është një shqetësim që e kanë ngritur shumë vende. Prandaj, sistemi do të nisë me faza dhe do të ketë fushata informuese në aeroporte, pika kufitare dhe stacione, që njerëzit të dinë si funksionon. Synimi është që gjithçka të shkojë sa më qetë dhe udhëtarët të mos presin gjatë në radhë.
Nëse keni pasaportë biometrike – si shumica e vendeve të Ballkanit – atëherë nuk ka asgjë shtesë që duhet të bëni. Por do t’ju duhet të jeni të përgatitur që gjatë hyrjes në BE, të jepni edhe shenjat e gishtërinjve dhe një foto. Kjo do të ndodhë vetëm herën e parë pas tetorit 2025.
Pra, në vend të një vule në pasaportë, BE po kalon në kontroll digjital. Më i shpejtë, më i saktë, por në fillim, mund të kërkojë pak durim.