Skandali i përgjimeve:Pse Greqia duhet të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare të parakohshme

Në fillim të muajit gusht lajmi mori dhenë. Një stuhi politike me përmasa të mëdha, e shkaktuar nga përgjimi i komunikimeve të eurodeputetit Nikos Androulakis. Politikani grek ishte nën vëzhgim nga shërbimet sekrete gjatë kohës që ishte në garë për drejtimin e partisë së tretë më të madhe në politikën greke, PASOK-KINAL, dhe deri në zgjedhjen e tij.

Ky lajm shqetësues pasoi atë mbi një tjetër rast përgjimi, atë ndaj gazetarit Thanasis Koukakis, që u bë publik për herë të parë po në gusht të këtij viti. Që nga ajo kohë, në dritë kanë dalë më shumë prova të përgjimeve të paligjshme, përfshirë hakerimin e telefonit celular të Christos Spirtzis, një zyrtar i lartë i partisë kryesore opozitare, Syriza-PA.

Por as ankesat e përsëritura të vetë gazetarit, as zbulimet nga një pjesë e medias greke, dhe as këmbëngulja e disa prej nesh për të vazhduar dhe folur mbi këtë çështje, nuk arritën që të thyejë murin e heshtjes së mediave kryesore greke. Një mur heshtjeje, sa i padukshëm, aq edhe shumë efektiv, që censuron vazhdimisht lajmet e “bezdisshme”, duke penguar që ato të dalin dhe zënë vendin e tyre të ligjshëm në mediat më të mëdha dhe më me ndikim.

Një mur heshtjeje, gjithmonë duke punuar në emër të “së vërtetës”, siç pretendohet nga qeveria e Demokracisë së Re e qendrës së djathtë e Kyriakos Mitsotakis. Të premten e 26 gushtit, në një seancë të posaçme të parlamentit grek kushtuar skandalit të përgjimeve, të kërkuar nga kreu kryesor i opozitës Alexis Tsipras, kryeministri përmendi Raportin e Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit për vitin 2022 .

Duke u përballur me faktet, Mitsotakis nuk hezitoi të pretendonte se raporti i BE-së justifikonte qeverinë e tij dhe përfshinte thjesht “disa rekomandime”. Por kjo nuk mund të jetë më larg nga e vërteta, siç mund ta dëshmojë cilido që e ka lexuar raportin në fjalë.

Ka pasur një vonesë – de fakto një refuzim – për të zbatuar Direktivën Evropiane për Mbrojtjen e Denoncuesve (për të cilën Greqia tashmë po përballet me procedurat e shkeljes), manipulimi i medias nëpërmjet famëkeqit “Lista Petsas”, një skandal në lidhje me financimin selektiv shtetëror të disa mediave sipas kritereve jo transparente, monitorimi i Koukakis, mos-zbulimi i autorit të vrasjes së gazetarit Giorgos Karaivaz, ndjekja penale e gazetarëve, shqetësimet serioze për ndryshimin e nenit 191 të Kodit Penal grek në lidhje me përhapjen e lajmeve të rreme, një përpjekje kjo për t’i mbyllur gojën mediave me pretekstin e mbrojtjes së shëndetit publik.

Dhe lista mund të vazhdojë…Shenjat e degradimit të demokracisë greke ishin tashmë të dukshme. Disa nga ne, brenda dhe jashtë vendit, kanë nxituar ta vinin në dukje dhe u përpoqën që të paralajmëronin edhe të tjerët.

Por regjimi që tani po shkon drejt rënies u përpoq fillimisht të ndalonte, dhe më pas ta minimizonte rëndësinë e seancës dëgjimore të kësaj jave në komitetin PEGA, një seancë për hir të së cilës komisioni vendosi të shtyjë një debat të planifikuar tashmë mbi Poloninë.

Në seancën dëgjimore, ndërsa gazetarët e përgjuar po rrëfenin përvojat e tyre, mungesa e përgjigjeve nga zyrtarët e qeverisë greke ishte e turpshme; konfrontuese dhe institucionalisht boshe. Në këtë pikë e ka sjellë Greqinë qeveria e djathtë e Mitsotakis: në garë me Poloninë në krijimin e komiteteve që synojnë të hetojnë devijimet nga parimet demokratike.

Nëse këtij ekuacioni i shtojmë lajmet e faqeve të para në shtypin ndërkombëtar, që flasin për një “rrëshqitje drejt autoritarizmit” dhe fërkimet e vazhdueshme e në rritje brenda partisë në pushtet, atëherë plotësohet tabloja e rrëzimit të turpshëm që po afrohet për mazhorancën aktuale.

Një numër deputetësh nga kjo shumicë janë larguar nga linja e partisë, përfshirë një ish-kryeministër. Rruga për rënien politike të Mitsotakis është e hapur. Dhe kjo dëshmohet nga përpjekjet e tij për ta shantazhuar partinë e tij, dhe për të kthyer në bashkëpunëtorë anëtarët e qeverisë së tij, si dhe për të sabotuar çdo hetim parlamentar të skandalit të përgjimeve.

Humbja e qetësisë nga qeveria ka çuar në deklarata publike të paprecedenta, siç ishte paralajmërimi i motrës së kryeministrit, deputete e mazhorancës dhe ish-Ministre e Jashtme, Dora Bakojanis, për dënime të rënda me burg për ata që hapin gojën për rastet e përgjimeve. Edhe aleatët tradicionalë në nomenklaturën e Brukselit, duket se po e braktisin Mitsotakis.

Zëvendëspresidenti grek i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, e theu heshtjen e tij disaditore, me një ndërhyrje publike shumë të kujdesshme, në të cilën ai ruajti distancën e

tij, duke kërkuar në thelb dorëheqjen e një Mitsotakis të habitur, dhe duke bërë një vërejtje paralajmëruese në rreshtat e fundit të një artikulli të botuar në gazetën konservatore greke Kathimerini.

Përballë pakënaqësisë popullore në rritje për shkak të rritjes së çmimeve dhe krizës energjetike, me shqetësimin dhe pasigurinë e përhapur midis qytetarëve grekë për konfidencialitetin e komunikimeve të tyre, me shenjat e para të një lufte të pamëshirshme midis grupeve të interesit dhe një lufte civile midis zyrtarëve partiakë dhe trashëgimtarëve me sa duket në pozicionin e tij, Mitsotakis është drejt largimit nga pushteti. Më e mira që ai mund të ofrojë, është një shkuarje e shpejtë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për hir të demokracisë, si në Greqi ashtu edhe në Evropë.

Nga Kostas Arvanitis “Eu Observer”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu