Operacionet e panevojshme në zemër janë në qendër të një rasti serioz shëndetësor, pasi Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njoftoi se në nëntë nga 13 pacientë të analizuar, një komision ekspertësh të huaj ka konstatuar gjetje të dyshimta në diagnostikim dhe indikacione të papërshtatshme për procedura kardiologjike apo kardiokirurgjikale. Rasti tani pritet të dërgohet në disa institucione, ndërsa pyetja kryesore është nëse pacientët janë dërguar në ndërhyrje për nevojë mjekësore apo si pasojë e lëshimeve, vlerësimeve të gabuara dhe interesit të mundshëm financiar.
Sipas informacioneve të publikuara deri më tani, komisioni i brendshëm fillimisht ka shqyrtuar 20 raste dhe në 13 prej tyre ka konstatuar dyshime për operacione të kryera pa nevojë ose referime të panevojshme për operacion. Më pas, dokumentacioni është analizuar nga një grup ndërkombëtar ekspertësh i përbërë nga një kardiokirurg nga Italia, një kirurg kardiovaskular nga Sllovenia dhe një kardiolog intervencionist po ashtu nga Sllovenia.
Te katër pacientë, ekspertët e huaj vlerësuan se trajtimi ishte i duhur, i kohës dhe në përputhje me standardet mjekësore. Mirëpo, te nëntë pacientë, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, janë konstatuar elemente të dyshimta në diagnostikim, përfshirë mospërputhje mes gjetjeve angiografike dhe raportit të shkruar. Pikërisht këtu rasti bëhet më i ndjeshëm: nëse diagnoza nuk është e mbështetur qartë, atëherë as vendimi për ndërhyrje nuk mund të mbetet vetëm një çështje profesionale.
Rastet e analizuara kanë të bëjnë me pacientë të trajtuar në institucione shëndetësore publike dhe private. Ndër to përmenden Klinika e Kardiologjisë, Klinika e Kardiokirurgjisë, Spitali Klinik i Shtipit, Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori”, Institucioni Privat Shëndetësor “Kardio Ar” Shtip, Spitali Klinik “Zhan Mitrev” dhe Spitali Klinik “Acibadem Sistina”. Pacientët janë gjallë dhe i përkasin moshës nga 46 deri në 78 vjeç.
Raportet e komisionit të brendshëm dhe atij të huaj duhet t’i dorëzohen Qeverisë, Prokurorisë Publike, Odës së Mjekëve, Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Këto institucione duhet të përcaktojnë nëse ka bazë për procedurë të mëtejshme, përgjegjësi disiplinore, profesionale, financiare apo penale.
Ministria e Shëndetësisë paralajmëron rishikim të protokolleve për ndërhyrje kardiologjike, një listë nacionale për operacionet kardiokirurgjikale dhe kontroll më të mirë mbi ndërhyrjet elektive dhe radhën e referimeve. Mirëpo, besimi nuk do të kthehet vetëm me rregulla të reja në letër, por me një përgjigje të qartë se si nëntë pacientë përfunduan në qendër të dyshimit se vendimi mjekësor mund të mos jetë marrë vetëm në interesin e tyre./INA/










