Sofje-Shkup: “Larje hesapesh” me referendum?

Presidenti bullgar Rumen Radev ka lënë të kuptohet se ai mund të thërrasë një referendum për veton e Sofjes për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, duke hedhur poshtë pretendimet se ai do të diskutonte këtë çështje me presidentin francez Emmanuel Macron.

Në bazë të informacioneve jozyrtare, mediat bullgare shkruajnë se Macron ka ftuar në takim Radevin dhe kryeministrin bullgar Kirill Petkov, i cili gjithashtu ka mohuar të ketë marrë ftesën.

Franca këmbëngul për një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes Sofje-Shkup, përpara përfundimit të presidencës së saj të BE në 30 qershor, por ka pak mundësi që Bullgaria të tërheqë veton e saj deri atëherë.

Qëndrimi i Radevit është se vetoja nuk duhet të hiqet derisa Maqedonia e Veriut të përfshijë bullgarët në Kushtetutën e saj.

Nuk ka përparim në këtë çështje ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, kështu që nuk ka kushte për vizitën time në Paris. E vlerësoj angazhimin e partnerëve tanë evropianë, por dua të shoh rezultate reale”, tha Radev, duke shtuar se vendimet përfundimtare nuk i merr Kuvendi, por populli.

Petkov tha më herët se nuk ka përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes dy vendeve dhe se vetoja duhet të hiqet me vendim të Kuvendit. Sipas ligjit bullgar, presidenti mund të thërrasë vetë një referendum, rezultati i të cilit do të ishte i detyrueshëm për parlamentin nëse plotësohen kërkesat ligjore për pjesëmarrjen.

Sipas sondazheve të opinionit, 70 përqind e bullgarëve janë kundër bërjes së ndonjë lëshimi ndaj maqedonasve. Gjithashtu, në Maqedoninë e Veriut shumica e qytetarëve janë kundër lëshimeve në favor të Bullgarisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu