Sot hiqen barrikadat ne veri te Kosoves

Sot para mesditës nis heqja e barrikadave në veriun e Kosovës nga ana e grupeve kriminale serbe.

Sipas palës serbe, barrikadat hiqen si rezultat i bisedimeve dhe marrëveshjeve mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe përfaqësuesve të serbëve lokal në Kosovë.

“Nuk mund të përfundojë për dy orë, qoftë për 24 apo 48 orë do të hiqen barrikadat, por mosbesimi nuk është hequr”, theksoi Vuçiq.

Ai takoi përfaqësuesit e serbëve nga Kosova mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.

Pas takimit, Vuçiq lexoi konkluzionin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës, lidhur me heqjen e barrikadave.

“Besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet”, thuhej në konkluzionin e lexuar nga Vuçiq.

“Ne nuk kemi besim te [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe nuk mund të kemi. Nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”, u tha në deklaratën që e lexoi Vuçiq.

Vuçiq tha se në këtë deklaratë kërkohet nga ai “të mos ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, sepse është territor i Serbisë”.

I pyetur nga gazetarët për kthimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, Vuçiq u përgjigj se “heqja e barrikadave nuk ka të bëjë me këtë çështje”. “Kthimi në institucione kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 28 dhjetor u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës, pasi zyrtarët serbë në veri të Kosovës, në nëntor u tërhoqën nga institucionet.

Çfarë u diskutua me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës?
Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsion.

Vuçiq tha paraprakisht se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Ai po ashtu tha se Dejan Pantiq ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.

Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës vendosën që nga 10 dhjetori.

Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Vuçiq tha se kërkesa e tyre e dytë ishte që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”.

“Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi ai.

Duke folur për kërkesën e serbëve për të mos lejuar hyrjen e forcave speciale të Kosovës në veri, ai përmendi deklaratën e misionit të NATO-s (KFOR) të datës 28 dhjetor.

“Ne kemi një dokument të posaçëm që i jep të drejta edhe popullit serb në veri të Kosovës edhe shtetit të Serbisë, por gjithashtu i imponon KFOR-it obligim që të parandalojë hyrjen e forcave të sigurisë së Kosovës në veri për herë të parë”, tha ai.

Deri më tani Serbia ka qenë zëshëm kundër dërgimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, një marrëveshje për një gjë të tillë nuk është arritur kurrë.

Kosova ka marrëveshje me NATO-n që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe kjo nuk ka qenë çështje e diskutimit./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu