Sot konstituimi i Kuvendit të Kosovës, VV dhe LDK ende pa marrëveshje?

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën konstituive të Legjislaturës së XI-të, me fillim nga ora 10:00, në sallën plenare.

Sipas rendit të ditës, fillimisht do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Pas verifikimit të mandateve, deputetët do të japin betimin, duke i hapur rrugë procedurës për konstituimin e legjislaturës së re.

Në vazhdim të seancës pritet të zhvillohet procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, sfida më e madhe mund të shfaqet pas formimit të institucioneve të reja, veçanërisht në lidhje me ushtruesin e detyrës së presidentit. Ata rikujtojnë se neni 90 i Kushtetutës kufizon këtë mandat në gjashtë muaj.

Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri, Kosova mund të përballet me një situatë të pazakontë juridike, pasi nuk ekziston një procedurë e përcaktuar qartë për tejkalimin e këtij kufiri.

Lidhur me formimin e institucioneve dhe një koalicioni të mundshëm mes Vetëvendosje dhe LDK-së, sot pritet sërish një takim mes kryetarëve të këtyre dy partive, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku. /INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu