Sot nënshkruhet marrëveshja historike për emrin

Sot në orët e paradites në Prespë do të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit 25-vjeçar rreth emrit.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë fillimisht ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas, në një ceremoni që të zhvillohet në pjesën greke të Prespës. Në ceremoni do të marrin pjesë edhe dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.

Përveç tyre në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes historike që pritet t’i hap Maqedonisë rrugën drejt BE-së dhe NATO-s pritet të jenë prezent edhe zyrtarë të lartë të dy organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, Komisioneri Evropian Johannes Hahn dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet në orët e paraditës, ndërsa më pas do të vijojë drekë pune dhe takim në Prespën e Maqedonisë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes pritet që përfaqësuesit e dy vendeve të japin edhe deklarata për opinionin. /SHENJA


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu