Sot përfundon viti shkollor pandemik, si do të jetë në shtator?!

Në Maqedoninë e Veriut sot përfundon viti shkollor 2020/2021 për nxënësit e arsimit të ulët dhe të mesëm. Ky vit shkollor që ishte zhvilluar në kushte pandemie kishte filluar më 1 tetor, ndërsa ditët e mësimit ishin shkurtuar nga 180 në 159, përcjell INA.

Procesi mësimor ishte zhvilluar sipas modelit të kombinuar: Mësimi online apo në distancë që ishte ndjekur nga shumica e nxënësve përmes platformës Microsoft Teams, si dhe mësimi me prani fizike vetëm i nxënësve deri në klasën e tretë.

Por nuk dihet akoma se si do të zhvillohet procesi mësimor 2021/2022. Ministria e arsimit dhe shkencës në bashkëpunim me Komisionin për mbrojtje nga sëmundjet infektive dhe Ministria e shëndetësisë do të vendosin se si do të realizohet mësimi, dhe se gjithçka do të varet nga situata me koronavirusin.

Ministrja e arsimit, Mila Carovska theksoi dje se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse lidhur me atë se si do të vijoj procesi mësimor më 1 shtator. “Të gjithë ne kemi dëshirën e njejtë, që në shtator të shohim oborret e shkollave të mbushura me buzëqeshjet e nxënësve, klasat të jenë të mbushura, por kjo do të varet nga gjendja epidemiologjike”, theksoi ministrja Carovska.

Për nxënësit që përfundojnë arsimin fillor, nga e hëna më 14 qershor do të filloj afati i regjistrimit në shkollat e mesme, ku sipas konkursit janë të lira 30.053 vende në 913 paralele në 109 shkolla të mesme.

Maturantët gjatë ditës së nesërme do të hyjnë në provimin e dytë ekstern. Provimi i parë ishte mbajtur të shtunën e kaluar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu