Isa Mustafa i LDK’së e Albin Kurti i VV’së pritet të takohen sot për një koalicion të mundshëm mes partive të tyre, ndërsa Lidhja Demokratike këmbëngulë në postin e Presidentit, kryeparlamentarit dhe 5 ministri.
Të dy partitë janë shprehur dje të gatshme për të vazhduar bisedimet mes tyre, që më në fund, të gjendet një zgjidhje për formimin e Qeverisë.
Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, mbrëmë në një deklarim për media ka paralajmëruar një takim mes Albin Kurtit e Isa Mustafës për sot.
“Takimet duhet të vazhdojnë, besoj qysh nesër (sot) dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje në përputhje me interesat e qytetarëve dhe te vendit”, ka deklaruar ajo.
Ndërkaq, anëtari tjetër i LDK’së, Arban Abrashi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se partia e tij këmbëngulë që të marrë pozitat që i ka synuar qysh në fillim, kur edhe kanë nisur bisedat me VV-në, pra presidentin, kryekuvendarin (që tashmë VV ia ka marrë me zgjedhjen e Konjufcës), si dhe 5 ministri.
“LDK-së sikur në fillim edhe tash duhet t’i takojnë Presidenti, Kryeparlamentari dhe pesë ministri”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Por VV pas zgjedhjes së Konjufcës si kryekuvendar po e vlerëson këtë çështje të kryer, kështu e konformoi edhe Albulena Haxhiu e VV’së dje.
Kujtojmë se të dy partitë për 3 muaj radhazi nuk arritën të ndajnë pozitat politike mes vete, ndërsa Kurtit i mbetën vetëm 14 ditë për të nominuar kandidatin.










