Sot takimi Greqi-Turqi për detin, Athina: Ankaraja bashkëpunon me Rusinë e Iranin, minon aleancën

Sot do të zhvillohet takimi mes përfaqësuesve të Greqisë dhe Turqisë me sekretariatin e Përgjithshëm të NATO-s pas konfliktit mbi cështjen e detit. Jens Stoltenberg do të tentojë që të bindë palët që të shmangin retorikën e forcës dhe që zgjidhjen ta gjejnë te dialogu. Greqia pritet që të paraqesë pretendimet e saj ashtu sikur edhe Turqia dhe palët duken larg një zgjidhje.

Përfaqësuesi i Përhershëm grek në NATO, Spyros Lampridis sipas mediave në Athinë gjatë takimit të djeshëm të ambasadorëve të Aleancës është shprehur se “Turqia është një vend që bashkëpunon me Rusinë dhe Iranin në Lindjen e Mesme, duke minuar unitetin dhe sigurinë e NATO-s dhe sponsorizon organizatat terroriste në vende të tilla si Siria”.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Greqisë në NATO gjithashtu paraqiti kushtet për dialog të vendosura nga Athina, në mënyrë që ai të jetë i qëndrueshëm. “Turqia duhet të tërheqë anijet nga zona e shelfit kontinental grek urgjentisht”. “Greqia mbetet gjithmonë e gatshme për dialog, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, pa kërcënime dhe shantazhe nga pala turke” vijoi ai më tej.

Ndërkohë që zyrtari turk këmbënguli se Turqia nuk po vepronte në mënyrë të paligjshme dhe thjesht po përpiqej të siguronte të drejtat e saj. Përfaqësuesi i përhershëm turk bëri thirrje për një dialog të pakushtëzuar me Greqinë mbi çështjet e hapura midis dy palëve.

Por cfarë qëndrimi mbajtën fuqitë e mëdha? Përfaqësuesi i përhershëm gjerman u ndal te përpjekja e Merkel për ndërmjetësim. Përfaqësuesit e SHBA, Italisë dhe Spanjës gjithashtu u përpoqën të nxisnin të dy palët të uleshin në tryezën e negociatave.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu