Sot vendoset fati i Kodit Zgjedhor? BE-ja paralajmëron: Pa marrëveshje, humben 4,2 milionë euro

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë edhe pak kohë për të arritur një marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Bashkimi Evropian ka dërguar një mesazh të qartë: nëse nuk arrihet konsensus brenda afatit të sotëm, vendi rrezikon të humbasë 4,2 milionë euro grant nga fondet evropiane njofton agjencia e lajmeve INA.

Paralajmërimi u bë nga euroambasadori Mihalis Rokas, i cili theksoi se reformat në legjislacionin zgjedhor janë pjesë e detyrimeve të ndërmarra në kuadër të Agjendës së Reformave dhe duhet të përmbushen pa vonesa.

Duke folur gjatë dorëzimit të automjeteve të reja për Inspektoratin Shtetëror të Transportit, të financuara nga Bashkimi Evropian, Rokas shprehu besimin se forcat politike do të arrijnë kompromis në momentet e fundit.

“Sot është afati përfundimtar dhe shpresoj që partitë t’i tejkalojnë dallimet. Bëhet fjalë për 4,2 milionë euro grant, mjete që do të investohen në projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, deklaroi ai.

Euroambasadori vlerësoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po ecën me ritëm të shpejtë dhe se disa vende kandidate tashmë kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit. Sipas tij, edhe Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë këtë moment dhe të mos mbetet pas në rrugën drejt integrimit evropian.

Ai nënvizoi se zgjerimi i BE-së nuk shihet më vetëm si një proces politik, por si një investim strategjik për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Evropës.

Rokas bëri të ditur gjithashtu se, pavarësisht përshtypjes së krijuar në publik për ngecje të procesit, po zhvillohen bisedime intensive diplomatike për të kapërcyer pengesat që e bllokojnë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe për të krijuar kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu