Sot votohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Vuçiç bën paralajmërimin e fortë

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë këtë të martë rekomandimin për Këshillin Ministror të organizatës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Një votim me 2/3 do t’i hapte rrugë vendimarrjes finale të Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta ketë më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se dita e sotme e votimit është një hap i madh drejt anëtarësimit. Megjithatë ajo shton se ky nuk është është hapi final, sepse anëtarësimi i plotë kërkon votën e ministrave të jashtëm.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbajti të hënën një dalje publike në televizionin shtetëror të Serbisë, ku tentoi të impresiononte publikun se di informacione “sekrete” që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Vuçiç tha se “nisma e Prishtinës” do të kalojë nesër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por shtoi se beteja kryesore do të zhvillohet më 16 maj.

Sipas tij, në Kosovë “më 10 maj në Kosovë do të thonë se do ta dërgojnë në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit qe e kanë propozuar evropianët”.

Ai shtoi se kjo do të bëhet “për të thënë se ka nisur procesi rreth Asociacionit e në fakt s’ka nisur asgjë”.

“Tani kanë krijuar një truk të ri dhe unë dua t’i njoftojë qytetarët për të – e kjo është që më 10 maj do të thonë se do ta çojnë aktin (draft-statutin e Asociacionit) që evropianët e kanë propozuar në Gjykatën Kushtetuese, për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, për të thënë se ka nisur procesi rreth Asociacionit e në fakt s’ka nisur asgjë. Pastaj (ndërkombëtarët), do të na thonë se kjo është arsyeja që ne po votojmë për Kosovën në Këshillin e Evropë. Pra, kjo është ajo që do të ndodhë”, tha ai.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu