Strugë, nuk funksionojnë dritat përgjatë shëtitores së Drinit të Zi

Ndriçimi në Drinin e Zi, për të cilin kryetari i komunës së Strugës, Merko, shpenzoi 110 mijë euro, nuk ka zgjatur as një vit. Llambat, të cilat janë vendosur për këtë qëllim, nuk funksionojnë, shkruan Alsat.

Merko në qershor të vitit të kaluar, me transmetim të drejtpërdrejtë, në mënyrë ceremoniale lëshoi në përdorim ndriçimin me ngjyra të ndryshme. Gjithsej 300 llamba u vendosën përgjatë gjithë shëtitores ndërsa kompania e përzgjedhur në tender garantoi cilësinë e ndriçimit për dhjetë vitet e ardhshme.

“Ja shikojmë, shikoje këtë kub, nuk zgjati as një vit, shkuan paratë, kush do të mbajë përgjegjësi tani, jo unë, as ti, as askush”.

“Llambat nuk duhej të ishin këtu. Drini është i bukur edhe pa llamba dhe sigurisht që paratë e popullit shpenzohen për to. Në mënyrë racionale, shpenzohen shumë pak mjete publike, jo vetëm për Drinin e Zi, por në përgjithësi”.

“Shumë para janë shpërdoruar. Është humbje e madhe e parave”.

VMRO DPMNE-ja në Strugë thotë se mjetet e investuara për këtë projekt kanë rezultuar si të panevojshme në kohë kur Struga ballafaqohet me shumë probleme, siç janë infrastruktura e keqe dhe mungesa e hapësirave për parkim.

“Struga nuk është komunë e varfër, por është komunë ku askush nuk e di se për çfarë shpenzohen paratë. Të investosh fonde të tilla në diçka që është e parëndësishme është ide e çmendur. A ka parë Struga ndonjë përfitim nga shpenzimi i kaq shumë parave? Ne si destinacion turistik në emër të ndriçimit nuk do t’i rikuperojmë kurrë këto fonde”, u shpreh Nikolla Kukunesh.

Pyetëm në komunën e Strugës se pse nuk funksionon ndriçimi, por na thanë se nuk do të ketë përgjigje. Pas vendosjes së dritave reaguan shoqatat e mjedisit, të cilat thanë se ndriçimi do të ketë pasoja të dëmshme për peshqit dhe bimët në lumë./Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu