Stuhia e fuqishme që përfshiu Shkupin këtë pasdite ka shkaktuar shumë probleme në pjesë të ndryshme të qytetit. Qytetarët përmes rrjeteve sociale po raportojnë për kulme të ndërtesave të rrënuara, pemë dhe kandelabrat të rrëzuara, kabllo të shkëputura, rrugë të bllokuara dhe automjete të dëmtuara.
Sipas raportimeve të para, çatia e poliklinikës në Çair është dëmtuar tejmase si pasojë e erërave të fuqishme. Nga një ndërtesë në bulevardin “Aradhat Partizane” është shkëputur po ashtu një pjesë e konstrukcionit të çatisë.
Kabllo të shkëputura janë vërejtur në afërsi të Kopshtit Zoologjik, ndërsa përpara qendrës tregtare “Kapitol” një pemë e rrëzuar ka bllokuar bulevardin. Pemë dhe kandelabrat të rrëzuara janë raportuar edhe përpara Kishës katedrale (Soborni Hram), si dhe në rrugët “Teodosij Gologanov” dhe “Ilindenska”.
Probleme ka edhe në Draçevë dhe Listiçe, ku përgjatë linjës hekurudhore rruga është bllokuar plotësisht nga një pemë e rrëzuar. Në rrugën “Ruzveltova”, në segmentin nga konvikti i studentëve drejt “Teodosij Gologanov”, pema ka rënë mbi të dyja korsitë e lëvizjes, ndërsa një pjesë e rrugës “Leninova” është e bllokuar për shkak të një peme të rrëzuar përpara Ministrisë së Bujqësisë.
Pemë të rrëzuara janë raportuar edhe në autostradë pranë pompës së benzines “Makpetrol” afër Belvisë. Qytetarët njoftojnë gjithashtu për motoçikleta të përmbysura dhe të dëmtuara në disa lokacione në Aerodrom dhe në Hasanbeg, si pasojë e stuhisë dhe erërave të fuqishme.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DHMH), territori i vendit është nën ndikimin e një mase ajrore të paqëndrueshme, për çka priten reshje lokale shiu, vetëtima dhe erë e forcuar. Në vende të caktuara janë të mundshme procese më intensive me shi të rrëmbyeshëm, shkarkime të forta elektrike dhe breshër afatshkurtër.










