Surpriza e Albin Kurtit për Ministër të Jashtëm, në qeveri edhe një shqiptar nga Maqedonia

Ish-kandidati për President të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, është prezantuar për Ministër të Jashtëm të Kosovës nga lideri i VV’së, Albin Kurti.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Kurti pak më parë i ka bërë thirrje LDK’së edhe një herë për marrëveshje, dhe që kjo t’i prezantojë emrat e saj për ministra.

Lista e Kurtit për postet e larta shtetërore në Qeverinë e tij ka qenë mjaftë interesante, ku ai ka përzgjedhur si Zëvendëskryeministër të dytë, Haki Abazin ndërsa Albulena Haxhiun si Ministre të Drejtësisë.

Por surprizë po del të jetë edhe Blerim Reka, të cilin Kurti po e dëshiron Ministër të Jashtëm në Qeverinë e tij, nëse arrin të formojë një të tillë.

“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia. Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat joserbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave”, thotë ai.

Ndryshe, një ofertë të tillë nuk dihet se a do të pranojë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila më parë kishte kërkuar që Ministria e Punëve të Jashtme t’i takojë asaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu