Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aktakuza që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e sulmit në Banjskë, është “e vonshme dhe e paplotë”.
Ajo, sipas tij, nuk përfshin disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët, siç thotë, “e kanë mundësuar trajnimin e grupit terrorist, por edhe e kanë furnizuar atë me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë”.
“Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, thotë Sveçla për Radion Evropa e Lirë.
Xhelal Sveçla: Një vit pas atij sulmi të tmerrshëm terrorist, situata në Kosovë është shumë, shumë më e mirë. Mund të them lirisht që është e qetë dhe stabile në të gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku për këta katër vjet gati të qeverisjes sonë, por edhe që nga paslufta, kemi pasur incidente, probleme, çështje serioze të pasigurisë – qoftë publike, qoftë tentim të cenimit të integritetit territorial. Por, lirisht mund të them se kemi një situatë plotësisht ndryshe.
Radio Evropa e Lirë: Dëgjojmë vazhdimisht deklarata, përfshirë edhe nga kryeministri Albin Kurti, për kërcënime nga Serbia. Ju, a mund të ndani diçka më shumë me ne?
Xhelal Sveçla: Në vazhdimësi ka informata inteligjente, jo vetëm tonat, por edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, se grupe të njëjta – apo për nga numri edhe më të mëdha – vazhdojnë të trajnohen në territorin e Serbisë, përreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më në thellësi.
Kjo patjetër që është një brengë e shtuar për institucionet tona të sigurisë, në kuptimin që jemi të obliguar të parashikojmë e pastaj të parandalojmë çfarëdo tendence për sulme, të cilat do të cenonin integritetin, sovranitetin, sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe të pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë.
Në të njëjtën kohë, kemi në vazhdimësi armatosje të Serbisë, qoftë të ushtrisë apo edhe të njësiteve speciale të policisë së Serbisë, të cilat në të kaluarën kanë provokuar Kosovën dhe e kanë sulmuar Kosovën në një apo mënyrë tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Pra, mund të thoni se institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën…
Xhelal Sveçla: Po, institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën dhe mund të them se janë edhe më të përgatitura se më herët, për t’u përballur me çfarëdo skenarësh.
“Kemi dëshmi” që ushtarakët serbë i kanë trajnuar dhe financuar sulmuesit në Banjskë
Radio Evropa e Lirë: Një vit pas sulmit në Banjskë kemi një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila implikon mbi dyzet persona, por vetëm tre prej tyre janë në paraburgim në Kosovë. A prisni ekstradimin e Radoçiqit dhe të tjerëve nga Serbia?
Xhelal Sveçla: Më në fund kemi një aktakuzë që për mua është e vonshme, por edhe e paplotë, duke qenë se ne e dimë që kanë qenë diku rreth njëqind terroristë të kyçur drejtpërdrejt në këtë sulm. Po ashtu, ka qenë evidente organizimi dhe përkrahja nga ana e institucioneve të Serbisë.
Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë.
E, çuditërisht, në aktakuzë nuk është as komandanti i kësaj kazerme, as zëvendëskomandanti i kazermës, as komandanti i Ushtrisë së Serbisë, e pse jo edhe vetë Vuçiq në qoftë se ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sulm. Por, për këta tre të parët që i përmenda, tashmë kemi dëshmi që jo vetëm e kanë mundësuar trajnimin e këtij grupi terrorist, por edhe e kanë furnizuar këtë grup terrorist me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë.
Prandaj, po them që kjo aktakuzë është pak e vonshme, por edhe e paplotë.