Sveçla: Jam ministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, serbët s’janë palë e dorës së tretë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të shtunën ka vizituar disa nga komunat në veri të Kosovës. Në një shkrim në Facebook, Sveçla bëri të ditur se ka takuar qytetarët atje dhe ka siguruar përkrahjen institucionale, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike.

“Dje vizitova komunat veriore dhe takova qytetarët tanë atje. Biseduam për kërkesat e tyre dhe përkrahjen institucionale. I sigurova që jam në shërbim të secilit qytetarë të Republikës së Kosovës dhe së bashku me akterët institucional do të jemi pranë tyre, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike”, tha ministri.

Tutje theksoi se qytetarët serb nuk janë palë e dorës së tretë, dhe iu tregoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet përkatëse në mënyrë që të kalohen probleme më lehtë.

“Unë jam Ministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Qytetarët serb nuk janë palë e dorës së tretë. Ata janë banorë, qytetarë të barabartë sikurse të gjitha komunitetet tjera që jetojnë këtu dhe gëzojnë të njëjtat të drejta. Duke pasur parasysh proceset e përbashkëta që na presin, përgjatë takimeve theksova rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet tona në mënyrë që t’i kalojmë ato më lehtë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit në mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë në vendin tonë”, tha ministri.

Sveçla, po ashtu ka takuar edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Natyrisht, vizitova edhe fshatrat shqiptare në veri ku për më shumë se dy dekada vërehej qartë mungesa dhe përkrahja e shtetit në këtë pjesë të vendit. Këta bashkëqytetarë janë të vendosur që të qëndrojnë në atë anë ku me pune e djersë, të sigurojnë jetë e prosperitet për ta dhe fëmijët e tyre. Pa asnjë dyshim ne do te jemi me ta dhe për ta”.

“Gjithandej takuam pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe si çdo herë, vërehej përkushtim e disiplinë e pashoq që garanton rend, ligj dhe siguri për të gjithë”, shkroi Sveçla.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu