“Takim vëllazëror”, Çfarë u bisedua në darkën e liderëve politik shqiptarë nga Maqedonia e Veriut me Edi Ramën?

Për takimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, në të cilin ishin të ftuar liderët e partive politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mbrëmë vonë një postim në Fejsbuk e bëri Rama. Ai postoi edhe një fotografi nga darka joformale në vilën qeveritare në Tiranë.

Në takim morën pjesë Ali Ahmeti nga BDI, Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, Menduh Thaçi, nga PDSH dhe Afrim Gashi, nga Alternativa. Nga të ftuarit nuk mori pjesë vetëm Bilall Kasami nga Lëvizja Besa.

Me Ramën ishin edhe ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme, Olta Xhaçka, koordinatori i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe sekretari i përgjithshëm i partisë, Damijan Gjiknuri.

“Gëzuar! Qoftë një vit i mbarë për shqiptarët kudo janë #VëllazëriShqiptare#AlbanianBrotherhood“, është teksti i Ramës në publikimin të cilin e shoqëron me një fotografi në të cilën të pranishmit shijojnë verën.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit deklaroi se takimi është realizuar në frymë pozitive dhe vëllazërore. Sipas Ahmetit e ardhmja e dy vendeve është në BE dhe sfidat që i presin në këtë periudhë janë të përbashkëta, si për Shqipërinë po ashtu edhe për Maqedoninë, prandaj sipas Ahmetit duhet koordinim i përbashkët. Ai vuri theksin edhe tek largimi i të rinjve nga Maqedonia, por edhe nga Shqipëria, duke theksuar se duhet shumë punë për të përafruar standardet tona me ato të vendeve të BE-së që të parandalohet edhe më tej shpopullimin.

Ta shkurtojmë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, si një nga mënyrat thuaj se të vetme për të parandaluar migracionin, largimin nga të dy vendet tona. Ka migracion të madh nga vendi ynë, poashtu edhe nga Shqipëria”, tha mes tjerash Ahmeti.

Rama nuk bëri të ditur se për çka kanë biseduar, por pas takimit lideri i ASH-së, Arben Taravari në pyetjen e gazetarëve konfirmoi se “mes tjerash është biseduar edhe për ndryshimet kushtetuese”.

Po, mes tjerash kemi folur edhe për ndryshimet kushtetuese. Është e njohur se nuk ka asnjë lider i partisë politike shqiptare në Maqedoni i cili nuk i mbështet ndryshimet kushtetuese, me qëllimin e vetëm që në nëntor të fillojnë bisedimet reale me BE-në”, tha Taravari.

Sipas tij, e kanë analizuar edhe situatën e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe rajon, pushtimin rus ndaj Ukrainës, situatën ekonomike dhe të ardhmen e përbashkët të Shkupit dhe Tiranës në drejtim të BE-së, me qëndrimin “si vende anëtare të NATO-s bashkë ta vazhdojnë rrugën deri në BE”.

Ai nuk deshi të komentojë mospjesëmarrjen e Lëvizjes Besa, duke thënë se ai është vendim i partisë.

Taravari konfirmoi se në Tiranë, ka ardhur nga Prishtina, ku ka pasur takime me presidenten kosovare, Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti, me kryetarin e parlamentit dhe me liderë të partive politike.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, pas këtij takimi ka deklaruar se nuk kanë folur për diçka konkrete, përpos së ardhmes së përbashkët të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

“Takim vëllazëror, i uruam vitin e ri njëri tjetrit dhe gjithë shqiptarëve. Biseduam për të ardhmen tonë të përbashkët për rrugën në Bashkimin Evropian, jo diçka më shumë konkrete. Faleminderit! Gëzuar!”- ka thënë Thaçi.

Ndërsa kreu i Alternativës, Afrim Gashi nuk dha deklarata, vetëm publikoi një fotografi nga takimi, me mbishkrimin:

“Për një vit të mbarë europian për kombin tonë dhe për dy vendet tona!”- shkruan ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu