Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se pas shumë orëve bisedime në takimet e liderëve nuk ka kompromis për çështjet strategjike, informon INA.
“Bisedimet zgjatën gjatë, biseduam për shumë çështje, gjegjësisht për referendumin e ardhshëm dhe formimin e KSHZ. Kompromis për çështjet strategjike nuk ka, nuk ka as amnisti. Do të vazhdojmë me bisedimet”, theksoi Zaev, duke paralajmëruar takimin e radhës ditën e diel ose të hënën. Ai tha se do ti jepet shans dialogut dhe debateve sa të jetë e mundur. Zaev tha se pret marrëveshje për tu dakorduar për formimin e KSHZ.
Lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski tha se në takim është biseduar për tema që kanë qenë të hapura gjatë bisedimeve të zhvilluara në muajt mars dhe prill dhe se për disa prej tyre është arritur përafrimi i qëndrimeve dhe për disa jo. Ai tha se në takim nuk është hapur tema për formulimin e pyetjes së referendumit, të cilën mbrëmë e theksoi Zaev. (INA)