Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic do të raportojë para parlamentit të Serbisë pas takimit që do të mbahet në Bruksel në mesin e këtij muaji midis Kosovës dhe Serbisë, raportojnë mediat serbe.
Kryekuvendari serb, Ivica Dacic ka thënë se ende nuk ka diskutuar me Vucic detajet, formën dhe kohën se kur do të mbahet seanca në të cilën presidenti serb do të raportonte për dialogun Kosovë – Serbi, por tha që ai pret që kjo të ndodh në 22-23 qershor.
“Disa muaj më parë, ne diskutuam mundësinë e mbajtjes së një seance të tillë parlamentare, por tani kjo çështje është aktuale pikërisht për shkak të koordinimit të presioneve si ndaj Vucic ashtu edhe vendit tonë për të ndërmarrë hapa që janë të papranueshëm për ne, siç është njohja e Kosovës”, tha Dacic.
Ai theksoi se në gjithë këtë, është e rëndësishmë që Serbia të ketë stabilitet politik dhe unitet, që do të thotë se të ketë institucione që mbështesin njëra-tjetrën.
Dacic tha se, nëse është e nevojshme, ai do të propozonte konkluzione nga kjo seancë për shkak të mënyrës së funksionimit, në drejtim të mbështetjes së ekipit negociator të udhëhequr nga Vucic në kursin e deritanishëm të vazhdimit të dialogut.
Pas një takimi në parlamentin serb me Matthew Palmer i cili përsëriti qëndrimin e SHBA’ve për njohjen reciproke, Dacic tha se ai i sugjeroi Palmer që t’i kushtonte vëmendje atyre formulimeve, që siç thotë Dacic ‘bien shumë në sy’, sepse sipas tij po krijohet përshtypja se çdo vizitë e SHBA’ve dhe e vetmja gjë që i intereson SHBA’ve ka të bëjë me presionin ndaj Serbisë për të njohur Kosovën.
“Dhe bashkëpunimi ynë duhet të jetë shumë më thelbësor. Ky është qëllimi ynë strategjik dhe mendoj se kemi arritur shumë. Presidenti Vucic po bën përpjekje makismale për bashkëpunim sa më të mirë të mundshëm me SHBA’të dhe nuk duhet të ulet vetëm në atë kërkesë, që është e papranueshme për ne”, tha Dacic.
Dacic nuk dha detaje kur u pyet lidhur me bisedën e tij me Palmer sa i përket Kosoves.









