Takimi i shumëpritur Kurti-Vuçiç në Bruksel do të zhvilohet sot, a do zgjidhet dialogu Kosovë-Serbi?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen sot në Bruksel, pas më shumë se një viti nga takimi i tyre i fundit, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Takimi i nivelit të lartë mbi dialogun Prishtinë-Beograd do të mbahet në Bruksel ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimi do të nisë të në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.

Në fund të takimit përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të mbajë një deklaratë për mediat. Deklarata nga Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të BE-së dhe do të publikohet në faqen e internetit të (EEAS).

Ndërkohë në prag të takimeve në Bruksel, Kryeministri i Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, takuan të martën më 16 gusht përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Në fokus të takimit ishin edhe takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të

Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu