50 milionë euro do të dedikohen për financimin e projekteve energjetike për Ballkanin Perëndimor.
Këto mjete do të jepen nga Bashkimi Europian përmes Programit për efikasitet energjetik rajonal dhe Fondit për rritje të gjelbërimit, me qëllim që të rritet kursimi i energjisë elektrike dhe të zvogëlohen emisionet e gazrave të qelqta.
Me marrëveshjet e nënshkruara parashikohet që vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë 1.6 terawat orë energji elektrike në vit.
“1.6 terawat energji është ekuivalente me shpenzimet e energjisë elektrike të Shqipërisë për katër muaj. Pra, me këto aktivitete mund të kursejmë një kuartal të shpenzimit të energjisë elektrike në Shqipëri, nga ana tjetër mund të zvogëlohen emisionet e gazrave të dëmshme në nivel vjetor në masë të madhe”,- deklaroi komisioneri për zgjerim i BE-së, Johanes Han.
Në takimin e ministrave të energjetikës të Ballkanit Perëndimor u vlerësua se nevojiten reforma urgjente në sektorin energjetik, ndërsa është arritur pajtueshmëri që masterplani për zhvillim rajonal i hidro-potencialit të ngritet në nivel më të lartë. Prioritet për periudhën e ardhshme është formimi i tregut të përbashkët rajonal të energjisë elektrike.
“Ajo që mund të konstatoj është se te të gjitha gjashtë shtetet është bërë progres, sidomos në agjendën e lidhjes në mes shteteve si në pjesën e infrastrukturës fizike të sektorit energjetik edhe në rregullativën ligjore”,- tha zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski.
“Insistojmë në zbatimin konkret të asaj që deri tani është e planifikuar nga Komisioni Europian në pjesën e energjetikës për Ballkanin Perëndimor. Hapi tjetër do të jetë në Sarajevë, ku do të takohen kryeministrat e vendeve të Ballkanit, ndërsa në Samitin në Trieste do të bisedojmë për aktivitete konkrete për tregun e përbashkët të energjisë elektrike të shteteve të Ballkanit Perëndimor”,- deklaroi nënsekretari shtetëror i Italisë për punë të jashtme, Vinçenco Amendola.
Marrëveshjet u nënshkruan nga përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Europiane të Investimeve KFW, gjatë takimeve të ministrave të Ballkanit Perëndimor.