Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami sonte zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi. Temë e bisedës ishin ngjarjet aktuale politike sidomos ato në kampin politik shqiptar.
“Lëvizja BESA e udhëhequr nga kryetari Kasami gjithmonë ka qenë dhe do të jetë e interesuar të gjejë mënyrë dhe mekanizma për të gjetur rrugën më të mirë për artikulimin e interesit të shqiptarëve në Maqedoni”, njoftuan nga Lëvizja Besa.
Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi në paraqitjen e tij pas zgjedhjeve kishte vlerësuar se humbës më i madh i zgjedhjeve është BDI-ja kurse fitues Lëvizja Besa me RDK-në.
Thaçi ka marrë përgjegjësinë për rezultatin e dobët të PDSH-së, kurse mandatet dhe votat e PDSH-së tha se ja len në disponim Lëvizjes BESA.
“Nuk ka nevojë BESA të na marrë në koalicion, ne i vendosim mandatet tona në disponim të Besës si fitues të zgjedhjeve”, theksoi Thaçi.
Por, shtatë muaj më pas, kreu i PDSH ka mendim tjetër për këtë subjekt politik.
“Unë kamë shprehur dëshirë që të takohem edhe me drejtuesit e Lëvizjes Besa, por ata kishin një kërkesë tërësisht të pakuptueshme për mua. Ata kërkuan që takimi të mbahet jashtë opinionit publik dhe pa media”, shtoi Thaçi. (INA)