Taksa ndaj produkteve serbe dhe mesazhi i harruar i Arbën Xhaferit

Nga: Muhamer Pajaziti

Taksa ndaj produkteve serbe është hequr. Është ëndërr e keqe. Pasardhësit e Milosheviqit në Beograd janë gëzuar, po festojnë dhe cakrrojnë gotat me rakinë e tyre të njohur “slivovica”. Në anën tjerët, në festën e taksës, Daçiq i ngazëlluar, duke i kënduar këngën Grenellit dhe Borelit, “Oprostite mi dragi, mozda nisam bio fin”. E në agim pa zbardhur akoma dita, maunet serbe nisin pushtimin drejtë Kosovës me mallrat e tyre aq të dëshiruara për kosovarët. Këta të fundit duke pritur rradhë nëpër markete për të shijuar sërish: plazmat, ujin rosa, ajrokremin serb dhe shumë produkte tjera, sikur kinezët të vraponin pas vaksinës kundër virusit corona. Ky është turpi më i madhë dhe pa vetëdija kombëtare e skajshme. Kjo është pasojë e llumit të politikanëve, të cilët e dështuan shtetin, e shkatërruan ekonominë dhe e bënë jo funksionale, është pasojë e mos edukimit familjar e shkollor, është një goditje ndaj rilindasve dhe sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve të flijuara për liri e për ti dhënë fund kasaphanes së Milloshevicit dhe Millosheviqëve të vegjël që sot qeverisin në Beograd. Ku është këtu patriotizmi, të vraposh pas produkteve të një shteti që të ka vrarë dhe sot nuk lë gur pa lëvizur për ta marrë pavarësinë e fituar me gjak, më duket absurde. Absurde dhe papritmas më kujtohet mesazhi i Arbën Xhaferit në shkrimin e tij ‘ Trangulli Suedez” , i cili flet për shpirtin e një kombi dhe frymën atdhetare.

Xhaferi në këtë shkrim flet për një mërgimtar shqiptar të martuar me një suedeze, me të cilën kishte tre fëmijë. Rrëfimi i tij nis kështu: Një ditë, në vitet ’80, djali i tij gjashtëvjeçar, Besimi, me rrëmbim hyri në shtëpi duke bërtitur “Papa, papa svenska gurka”! (Baba, baba trangull suedez!). Babë e bir këmbenin fjalë që s’i kuptoja unë, aq më pak euforinë e tyre me një trangull të mbështjellë me celofan, ku ishte stampuar flamuri suedez. Kërkova shpjegime prej mikut tim kosovar. Ai, me një indiferencë, m’u përgjigj: “Hiqu tyre, ata gëzohen kur arrijnë të prodhojnë madje edhe perime. Gjithkund e vënë flamurin, madje edhe në brekët e tyre”.

Xhaferi shpjegon se, nacionalizmi suedez manifestohet jo vetëm në krijimin e shtetit funksional, ku suedezi është i mbrojtur, i sigurt, ku i respektohet integriteti dhe dinjiteti individual, por edhe në këto mesele trangujsh. Shtetet kombëtare formohen që pjesëtari i atij kombi (nacioni) të jetojë sa më mirë. Shtetet kombëtare nuk formohen që pjesëtari i atij kombi të jetojë keq në të.

Këtë mesazh më duket se nga politikanët e ka kuptuar me kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është zotuar se do të manifestoj një lloj nacionalizmi suedez apo evropian, por kjo mbetet të shihet në realitet.

Personalisht e kam përkrahur taksën 100 për qind të vendosur nga kryeministri, Ramush Haradinaj, e kam mbështetur ndonëse 10 vite kam ligjëruar lëvizjen e lirë të mallrave dhe lirive tjera themelore në Tregun e Brendshëm të BE-së.

E kam përkrahur sepse edhe në tregun evropian ka rregulla gjatë zbatimin të ekonomisë së lirë, është parimi i njohjes së dy anshme të mallrave, ndalimi barrierave, harmonizimi i legjislacionit teknik dhe shumë rregulla tjera, të cilat shtetet duhet ti zbatojnë.

Gjatë kësaj periudhe kohore kam studijuar qindra raste kur Shtetet Anëtare bëjnë beteja të ashpra para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për ti ruajtur produktet e tyre vendore, shpeshherë të vetëdijshmë se po shkelin rregullat e Traktatit.

Kam parë se si disa Shtete Anëtare bllokojnë mallrat e shteteve fqinje kur marrëdhëniet e tyre janë të acaruara. Por kam parë edhe që Shtetet Anëtare ndajnë miliarda euro për ta ndihmuar ekonominë, duke shpenzuar në dije e inovacione.

E pas Ramushit, tani e ka radhën Albini me reciprocitetin, i cili nëse zbatohet ashtu si është thënë, do të thotë njohje të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Por, sa vlenë kjo, pse erdhëm në këtë derexhe të bëjmë pazar për një cështje që duhej të bllokohej nga vetë qytetarët kosovarë përmes bojkotit . Përgjigja është e thjeshtë, ne mbase nuk e duam as sa duhet flamurin e Kosovës, por edhe të Shqipërisë, e lërë më ta mbajnë edhe në brekë sikur suedezët. Por edhe në këtë derexhe na kanë sjellë politikanët e pandërgjegjshëm, të cilët shkatërruan gjithcka në Kosovë, prishën edhe ëndrrat e të rinjve, të cilët pas vitit 99, kishin lënë të gjitha të mirat në vendet evropiane për tu kthyer nën rrënojat e shtëpiteve të tyre të djegura nga Serbia e Vuciqit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu