Komisioni Evropian mbështet propozimin gjermano-francez për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe do ta integrojë atë në dialog, njoftoi sot në Berlin kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen, transmeton InfoShqip.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të Samitit për Procesin e Berlinit, ajo u bëri thirrje të dyja palëve të arrijnë një marrëveshje dhe tha se ky është një problem që mund të zgjidhet dhe që qëndron në rrugën e anëtarësimit të shpejtë të rajonit në BE.
Kujtojmë se ky është plani i Gjermanisë dhe Francës (Scholz-Macron), i cili, siç raportojnë mediumet, nënkupton që në vitin 2023, 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit, një fazë e re në dialogun mes Beogradit dhe Prishtina do të fillojë dhe që pas 10 vitesh të tjera, kur BE-ja do të jetë gati të përfshijë Ballkanin Perëndimor, do të arrihet një marrëveshje formale për njohje, si parakusht për anëtarësimin në BE./InfoShqip.com