Taravari: ASH braktisi pushtetin për parime, BDI ka braktisur çdo parim për pushtet

Sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët njëheresh edhe Kryetar i Gostivarit ka ndezur debatin edhe njëherë me kolumnën e tij të fundit.Që ka bërë që partia në pushtet BDI të bëjë disa reagime ndaj tij brenda disa ditësh.

Në këtë shkrim ai tregon një të vërtetë të dukshme ku thuhet se BDI braktis çdo parim vetëm e vetëm të qëndrojë në pushtet.

Në vazhdim mund të lexoni kolumnen e plotë:

Para disa ditësh, dola në një konferencë për shtyp ku ndër të tjera fola edhe për zgjedhjet lokale që priten të zhvillohen këtë tetor. Në këtë kontekst unë paralajmërova se ndoshta një nga bashkëpunimet eventuale të ASH-së mund të jetë edhe ai me VMRO-në. Natyrisht duke mos vënë asnjë pikë pasi në këtë fazë parazgjedhore jemi ende në vlerësimet e programeve dhe ende nuk kemi vendosur se me cilën parti jemi më afër këto zgjedhje përsa i përket vizionit mbi zhvillimet politike.

Mirëpo duket se kjo hipotezë imja, ky “ndoshta” bashkëpunim me VMRO-në ka vënë flakën tek shumë parti, e ajo që po digjet fare është BDI-ja. Aktivizoi menjëherë portalet e saj duke sajuar lloj lloj titujsh akuzues e padyshim qesharak sepse kësaj partie nëse po i dridhej toka në këmbë, tani po i shembet fare!

Me logjikë të arratisur, është në fazën më kritike të saj. Si kurrë ndonjëherë deliron aq sa seriozisht duhet ose të tërhiqet nga skena politike për t’i lënë vetes pak nder, ose të bëhemi gati për të parë një fund të BDI-së me faturë të frikshme. Pretendimet e kësaj partie se tashmë sipas tyre, ne kemi ndarë datë e kemi dhënë fjalë se kë kolltuk do japim e kë s’do lëshojmë, janë delirium i bazuar në martesat e saj të shumta politike për të mbetur në pushtet. Ndryshe nga ajo që vret natën e qan ditën partnerët e saj, vetëm e vetëm që të mbetet në sarajet e Shkupit, ne priremi nga qëllime krejt të tjera për të filluar një bashkëpunim.

BDI-ja ka qenë gati dhe e gatshme kurdoherë që të qeveriset nga kushdo, me kushtin e vetëm që të mbetet në pushtet.

Është interesante të shikosh aftësinë kameleonske të BDI-së ndër zgjedhje dhe ndryshimin e jashtëzakonshëm, metamorfozën epike që është krejt e ndryshme nga ajo e Franc Kafkës, por që me siguri do e bënte këtë të fundit të luante nga varri! Dihet që historia e kësaj partie i ka rrënjët në mal. Lindja e saj në rrethana heroike ishte dhe është një dokument që kjo parti herë e valëvit si flamur zgjedhor dhe herë e eliminon në emër të shoqërisë multietnike. Interesant është fakti që BDI-ja është e vetmja parti shqiptare që rreh gjoksin se është vetëm ajo që paska luftuar me pushkë malit kundër armikut maqedonas, sepse natyrisht pushkë nuk del kundra mikut…ndërkohë kryeministri i vendit etiketon vetëm ASh-në si parti shqiptare dhe të papërshtatshme për bashkëpunim sepse është shqiptare, a këtej luan me lodrat e qeverisë bash me ata që nëse do të ishte viti 2001 do ta kishin zënë rob lufte Zaevin.
Po kryeministri aktual nuk ka frikë nga BDI-ja dhe e kaluara e saj dhe në fakt ka të drejtë.

BDI-ja prej kur erdhi nga mali në kolltukun qeveritar duket se pësoi një ndryshim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e saj. Uniformat ushtarake të disa prej funksionarëve u zëvendësuan me kostume të shtrenjta aq sa rroga vjetore e një të punësuari shtetëror, gjerdanët e fishekëve u zëvendësuan me pëllumba paqeje, dhe nga duart hoqën hartat e sulmeve në mal duke u zëvendësuar me bashkëjetesën në fushë. Nga kjo bashkëjetesë e cila dukej aq jetëgjatë, aq e lumtur dhe aq shpresëplotë, që u kurorëzua me Marrëveshjen e Ohrit, sot pas 20 vjetësh ka ndodhur shumë gjëra por vetëm kjo Marrëveshje ende nuk është zbatuar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu