Liderët e partitë opozitare shqiptare të bashkuara në VLEN edhe gjatë ditës së djeshme kanë qendruar në Europë. Ata fushatën e tyre e kanë shtrirë në Zvicër. Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari, kërkoi mbështetjen e mërgimtarëve dhe theksoi se mërgata është prijëse e ndryshimeve pozitive për shqiptarët e Maqedonisë dhe se siç tha, Maqedonia e Veriut, në këto zgjedhje është para një udhëkryqi shumë të rëndësishëm, dhe këto zgjedhje, ai tha janë historike për shkak se, përveç tjerash, garon edhe Albin Kurti kundër Vuçiqit, ndërsa Maqedonia, pas zgjedhjeve, duhet të zhvillojë bashkëpunimet me Tiranën, Prishtinën, Sofjen dhe Athinën.
ARBEN TARAVARI,KANDIDAT PËR PRESIDENT NGA VLEN
“ Për t’u zhvilluar Maqedonia si duhet, shumë të rëndësishme janë dy trekëndëshat. Trekëndëshi i parë është Shkupi, Tirana dhe Prishtina dhe trekëndëshi i dytë, i cili është shumë i rëndësishëm për t’u zhvilluar është Shkupi, Sofja dhe Athina. Domethënë ne si shtet duhet t’i zhvillojmë këto dy trekëndëshe, të kemi sa më shumë bashkëpunime me këto shtete. Fatmirësisht ne kemi raporte korekte me Prishtinën, edhe me Tiranën ky bashkëpunim duhet të jetë sa më i fuqishëm dhe në të ardhmen të mendojmë sa më shumë që t’i zhvillojmë bashkëpunimet me Sofjen dhe Athinën. Këto dy trekëndësha e parandalojnë ndikimin e veriut, ose ndikimin rus”.
Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Demokratike, i cili garon në njësin zgjedhore numër 1, i mbështetur nga VLEN, Izet Mexhiti, ka theksuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë ndjerë kurrë më të diskriminuar dhe fyer deri më tani. Ai tutje para mërgimtarëve shqiptareë që jetojnë atje, tha se një parti që del nga lufta dhe përfundon me konceptin qytetar bashkë me komunitetet e vogla, është drejt shkrirjes në LSDM ose VMRO.
IZET MEXHITI, BARTËS LISTE NË NJËSIN ZGJEDHORE NUMËR 1
“Shqiptarët e Maqedonisë dhe zonat e populluara me shqiptarë kurrë nuk janë ndjer më të fyer dhe diskriminuar, investimet dhe kapitali shkon për Maqedoninë Lindore ndërsa Ministrat e BDI-së janë figura pa asnjë kapacitet dhe përgjegjësi”.
Liderët e VLEN-it sot janë takuar me kryeministrin e Kosovës dhe liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti. Kryetari i LD-së Izet Mexhiti nëpërmjet një postimi në Fejsbuk ka njoftuar se kanë marrë mbështjetje të parezervë nga Kurti. “U takuam në Prishtinë dhe morëm mbështetje të parezervë nga kryeministri Albin Kurti, kryeministri që VLEN, kundër korrupsionit, kundër Ballkanit të Hapur, kundër regjimit të vjetër tha ai..