Taravari takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

Lideri i ASH-së, Arben Taravari para takimit që do të mbahet në Tiranë me ftesë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama , sot në Kosovë do të ketë takime të shumta duke filluar nga Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe më pas takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. GJithashtu pritet të takohet edhe me krerët tjerë të partive politike dhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Postimi nga takimi me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani:

“Sot në Prishtinë, bashkë me deputetët Elmi Aziri dhe Artina Qazimi, u pritëm në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e saj, Vjosa Osmani.

Falënderova Presidenten për qasjen e hapur dhe miqësore, duke e siguruar se si kryetar i Aleancës për Shqiptarët do të punoj në thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Diskutuam edhe për situatën në veriun e Kosovës të cilën ne e kemi ndjekur me shqetësim dhe u zotova se do të vazhdojmë të flasim zëshëm për të dënuar veprimet luftënxitëse dhe anti evropiane të Beogradit.

Urova Presidenten për dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shpreha besimin se BE do të jetë në nivel të sfidës së jashtëzakonshme që i kanoset paqes, sigurisë dhe vlerave tona të përbashkëta, duke u përkushtuar për bashkimin përfundimtar të kontinentit tonë.

Përgëzova Presidenten Osmani për drejtimin e përgjithshëm të Kosovës dhe fokusin e institucioneve në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Duke qenë se korrupsioni ngelet problemi më i madh i vendit tonë, theksova nevojën për bashkëpunim më të madh me institucionet e Kosovës për të mësuar nga përvoja e deritanishme në hartimin e kornizës ligjore për reforma në drejtësi.”– shkruan ne postim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu