Të gjithë flasin për Xhuljano Skukën: Po kush qe gjeniu dibran i “kohës së gabuar”?

Xhuljano Skuka – ky është emri-kryefjalë i futbollit shqiptar këto orë, pasi ky lojtar i Partizanit, ardhur nga Korabi, po shfaqet si një goleador i synuar për përfaqësuesen shqiptare. I ka treguar aftësitë shënuese me të kuqtë, shënoi dhe me kuqezinjtë në fitoren kundër Armenisë, për pak sa s’i shënoi dhe Italisë me një rofeshat.

Dhe, duke qëndruar te origjina e tij, Dibra, ky është rasti për të kujtuar të dytin dibran të kombëtares shqiptare, pas të parit këtu e 20 vite më parë, Mahir Halilit të Tiranës.

Por jo vetëm kaq; është rasti për të kujtuar emrin më të madh të futbollit dibran, me një karrierë në “kohën e gabuar”.

Në vitet ’80-të, Shpëtim Toska do synohej fort nga Dinamo, më saktë nga trajneri Bejkush Birçe, për ta patur në ekipin e tij gjeniun e topit nga Peshkopia, por nuk ia doli dot. Vite më vonë, sapo nisi ndërrimi i regjimeve, trajneri i njohur do i kushtonte një shkrim në Sportin Shqiptar pengut të karrierës së tij, faktin që s’mundi ta sjellë Toskën te Dinamo. Pse? Biografia. Gjeniu dibran kishte cen. Nëse do kish ndodhur, me gjasë sot, Shpëtim Toska do ishte njeriu me një bilanc jo vetëm te Dinamo, por dhe te Kombëtarja shqiptare. Këtë e dinë mirë shkodranët, të cilët kur e panë në një përballje kupe te “Vojo Kushi”, ku luante Vllaznia me Korabin, e shpallën “Maradonën” shqiptar.

Kjo, edhe për shkak të shtatit të ngjashëm të dibranit me gjeniun argjentinas. I ngjashëm ishte dhe në cilësi teknike e fizike. Dhe po nga një shkodran do e pësonte rëndë, Hysen Dedja, mbrojtësi që nuk mundi ta mbante dot, derisa në nerv e sipër e godet në kërci duke i thyer këmbën. Fundi i viteve ’80. Shpëtim Toska nuk mund të luante më me kohë të plotë. Me shufër në këmbë, siç e ka dhe sot, ai thjesht do luante me hijen e tij, me po aq klas sa më parë, qoftë dhe në pasime, pasi iu shmangej triblimeve.

Kohë e gabuar qe për të dhe fakti se ekipi ku luante, Korabi, ishte përzgjedhur nga sistemi për të mos qenë prej ekipeve të Kategorisë së Parë (Superliga e asaj kohe). Kategoria e parë duhej të shkonte deri në Burrel, jo më tej.

Shpëtim Toska ka lënë një rekord që nuk e mban askush në futbollin shqiptar, e që mund të jetë i rrallë dhe në botë: golashënuesi më i mirë në 9 kampionate radhazi. Golat e shënuar, mbi 300. Gogunja i Labinotit të Elbasanit, duhet ta mbajë mend si njeriu që pësoi prej tij 3 gola nga distanca në një pjesë loje, pikërisht në vitin kur Labinoti do shpallej kampion.

Ndaj, kur të përmendet Xhuljano Skuka, duhet të kujtohet dibrani më i madh i futbollit shqiptar, por që Shqipëria si një e tërë s’pati fatin ta shijojë: Shpëtim Toska.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu