Gjykata Administrative mbrëmë i refuzoi si të pabaza të gjitha shtatë paditë nga koalicioni “Fronti Europian”, kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për rivotim në shtatë vendvotime për zgjedhjet parlamentare 2024. Me vendimet e Gjykatës Administrative vërtetohen vendimet e KSHZ-së për rivotim në gjashtë vendvotime në zone zgjedhore nr 5 dhe një në zonën zgjedhore numër 6. Pas këtyre vendimeve të Gjykatës Administrative, KSHZ tani duhet të organizojë zgjedhje përsëri në të gjitha shtatë vendvotimet, të cilat do të mbahen të mërkurën më 22 maj.
“Konstatoj se Komisioni njëzëri miratoi propozimin që të rivotohet në këto vendvotime. Më falni, votimi do të mbahet më 22 maj 2024, që do të thotë të mërkurën e ardhshme”, tha Aleksandar Dashtevski – Kryetar I KSHZ-së.
Nga koalicioni VLEN e përshëndetën vendimin e Gjykatës Administrative, duke thënë se ky vendim është në një vijë me vullnetin e shprehur të qytetarëve më 8 maj. Meqenëse gara për një deputet më tepër për VLEN-in do të zhvillohet në vendvotimin 2101 në Zhelinë, ata u bëjnë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë sa më masovikisht.
“E përshëndesim vendimin e Gjykatës Administrative, e cila është në një vijë me vullnetin të cilin qytetarët e shprehën më 8 maj. Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie”, thonë nga VLEN.
Por nga ana tjetër vendimet e Gjykatës Administrative bënë që BDI të mbledhë kryesinë në Reçicë. Para se të fillojë mbledhja, kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se këto që po ndodhin janë akrobacione politike, të dakorduara mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
“Nuk është çështja këtu nëse i humbë apo i fiton Fronti Europian dy mandate. Fronti Europian ka fituar zgjedhjet më 8 maj 2024. Fitorja e Frontit është vulosur më 8 maj. Të gjitha akrobacionet politike, marrëveshjet e fshehta nëpër podrume janë të papranueshme dhe janë të dënueshme. Sepse përbëjnë hap pas. Dhe asnjë hap pas nuk duhet të tolerohet por të gjitha palët duhet të reflektojnë. Ne i dimë të gjitha në detaje marrëveshjet në podrumet e kuqe, marrëveshjet politike, dhe në të ardhmen do të dalim në detaje për të gjitha marrëveshjet ku do t’i demaskojmë në opinion”, theksoi Ali Ahmeti – Fronti Europian.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor sot vërtetoi mandatet e deputetëve në bazë të rezultateve nga zgjedhjet më 8 maj, ndërsa nëse eventualisht ka ndonjë ndryshim, deputetët e tjerë eventual do t’i publikojnë me konkluzion të posaçëm.
Në vendvotimin 2101 në Zhelinë, koalicioni VLEN ka fituar 332 vota ndërsa Fronti Europian 134. Por nga koalicioi VLEN presin që ky rezultat të jetë edhe më I thellë në votimin e 22 majit, dhe në një situate të tillë, një deputet i Frontit Europian kalon tek koalicioni VLEN. Fronti Europian mund të humbasë edhe një deputet tjetër në zonën e pestë zgjedhore, e atë deputet ta marrë ose VMRO ose LSDM. Në zonën pesë do të rivotohet në gjashtë vendvotime dhe atë në vv1194 dhe 1202 në Krushevë, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen, 1844 në Strugë dhe 1272 në Ohër.
Sipas rezultateve të para nga zgjedhjet parlamentare, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Europian 19 deputetë, koalicioni i udhëhequr nga LSDM 18 deputetë, koalicioni VLEN 13 deputetë, ndërsa Levica dhe Lëvizja Znam nga 6 deputetë.