Programi i dramës në edicionin e 56-të të Festivalit “Vera e Ohrit” vazhdon nesër në mbrëmje me shfaqjen e tretë të Shekspirit, me “Makbethin” në produksion të Teatrit Shqiptar të Shkupit, me regji të Diana Dobrevës nga Bullgaria.
Siç u theksua sot në pres-konferencë, publiku nesër mbrëma do të mund të mësojë se pse pikërisht me këtë shfaqje të “Makbethit” ky teatër e feston jubileun e 65-vjetorit të themelimit.
“Ajo që është shumë e rëndësishme është që e njohëm Diana Dobrevën, propozim i saj ishte që të punohet “Makbethi” dhe na vjen mirë që si produksion e pranuam propozimin e saj dhe se ky bashkëpunim rezultoi me një produkt të tillë”, tha Anita Latifi nga Teatri Shqiptar i Shkupit.
“Është shumë interesante që të punohet Shekspiri në gjuhën shqipe. Kjo nuk është aspak e lehtë, por është tepër interesante sepse konsideroj se gjuha shqipe është tepër magjike për skenën, i jep një sens misterioz vetë veprës”, tha ajo.
“Për Makbethin” ajo tha se është një tekst aktual që ka qenë i tillë që para krijimit të tij, jam e bindur se kështu edhe do të mbetet, siç theksoi, deri në fund të botës”.
“Njeriu për mua është apsolutisht një krijesë e pabesueshme që jeton në absurd, që jetën e tij të shkurtër e shpenzon në mënyrë të pakontrolluar në një luftë të vazhdueshme për pushtet. Është interesante tema se ç’është ajo që njeriu ka në natyrën e vet, cila është ajo që e shtyn që vazhdimisht të bëjë ndonjë betejë personale vetëm që të imponohet mbi personat e tjerë”, tha Dobreva, në shfaqjen e të cilës çdo aktor e shtyn arkivoin e tij, duke theksuar në këtë mënyrë absurditetin e jetesës – të jesh i vdekshëm, ndërsa të sillesh sikur do të jetosh përjetësisht.
Teuta Ajdini Jegeni, e cila e luan rolin e Ledit Makbeth, tha se të luhet roli i manipulatorëve më të mëdhenj të historisë në dramaturgjinë botëroroe është realizimi i ëndrrës për çdo aktore.
“Për tu luajtur ky rol nevojiten tre komponentë që duhet t’i ketë çdo aktor – përvojë e madhe, angazhim i madh dhe përkushtim ndaj rolit si dhe më e rëndësishme – një regjisor i mirë pas vetes. Për fatin tim, mendoj se i pata të gjitha këto komponentë, kështu që mendoj se ka dalë një shfaqje e mirë”, tha Jegeni, duke i bërë thirrje publikut që të vijë dhe ta ndjekë veprën e madhe dramaturgjike të Shekspirit, për të cilën është siguruar edhe përkthim në gjuhën maqedonase.
Për shkak të kushteve të motit, shfaqja “Makbeth” në vend të Sarajit të Poshtëm do të luhet në sallën e madhe të Qendrës Kulturore “Grigor Përliçev”, me fillim në orën 21.