Presidenti Ilir Meta bën thirrje për qetësim të situatës në veri të Kosovës, ku prej disa ditësh në pikat kufitare ka tensione për shkak të vendosjes nga pala kosovare të reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Meta shkruan se ruajtja e integritetit territorial të Kosovës është faktor i rëndësishëm për fqinjësinë e mirë në rajon.
“Ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë. Në këtë frymë palët duhet të kapërcejnë tensionet, të vijojnë dialogun dhe t’u përmbahen detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura nga të dy vendet me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA”, shkruan Presidenti Ilir Meta.
Kosova ka vendosur reciprocitetin me Serbinë për targat e automjeteve. Kjo do të thotë që makinat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisen me një tabelë provizore që kushton 5 Euro, njësoj sikurse Serbia vepron me automjetet që janë me targa të Kosovës.









