Thikë pas shpine për SHBA-në e të turpshme e ka quajtur numri një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, iniciativën e 43 deputetëve të Kuvendin të Kosovës për ta zhbërë Gjykatën Speciale, e pas të cilës qëndrojnë krerët më të lartë të shtetit, Thaçi e Haradinaj.
“Iniciativa është e turpshme. Është thikë pas shpine për SHBA-në. E kundërshtojmë fuqishëm”, ka thënë Delawie, përcjell Koha.net. “Implikacionet janë tmerrësisht negative”, ka thënë Delawie.
Nga ana tjetër, ka nisur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me Shefat e Grupeve Parlamentare, e thirrur me nënshkrimet e 43 deputetëve që kanë kërkuar që të mbahet sonte seanca e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Më parë, përmes Twitterit Delawie, është shprehur ashpër kundër një veprimi të tillë. Ai ka thënë se SHBA-ja nuk dëshiron që Kosova ta shkatërrojë të ardhmen e saj.
“Nuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, ka shkruar Delawie, transmeton Koha.net.
“Ideja për të ndryshuar ligjin e Gjykatës Speciale mund të izolojë globalisht Kosovën. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”, ka shkruar Delawie.
Kujtojmë se ditë më parë me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.










