Një tentativë grabitjeje është parandaluar në një minimarket në Selanik, pasi pronari shqiptar i biznesit reagoi menjëherë ndaj dy personave të maskuar që hynë për të vjedhur.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Vardarit, ku sipas mediave greke, dy të rinj me kapuçë dhe fytyrat e mbuluara hynë në dyqan me qëllim grabitjen.
Megjithatë, situata mori një kthesë të papritur kur pronari i minimarketit u përball pa hezitim me autorët. I armatosur me një shkop bejsbolli, ai i detyroi grabitësit të largoheshin pa marrë asgjë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur biznesmeni shqiptar i ndjek nga pas autorët, ndërsa i shan në gjuhën shqipe.
Pas reagimit të tij, dy personat u larguan me vrap nga vendi i ngjarjes, ndërsa tentativa e grabitjes dështoi plotësisht.










