Një i ri vetëm 20 vjeç me iniciat A.H ka denoncuar në polici se është rrahur barbarisht dhe më pas grabitur nga dy persona të maskuar.
Sipas tij, maskat i kanë zënë në befasi në momentin që sapo kishte mbyllur pikën e basteve ku punonte.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Delvinës, në rrugën “Veli Kallapoli”, mbrëmjen e së mërkurës.
Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë, sipas 20-vjeçarit Hadëri, ai është ndeshur me dy persona me maskë dhe armë në momentin që sapo kishte mbyllur derën e pikës së basteve, ku punon prej disa kohësh.
“Sapo mbylla lokalin dhe po shkoja për në shtëpi, më dolën përpara dy persona. Njëri prej tyre më qëlloi dy herë me grushte dhe pastaj më morën paratë e xhiros që kisha me vete”, është shprehur Hadëri.
Nga hetimet paraprake të Policisë, 20-vjeçari rezulton i punësuar si operator në pikën e basteve, e cila është në pronësi të një kushëriri të tij. Nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes bëhet e ditur se, shuma e grabitur është rreth 150 mijë lekë të reja, ndërsa pas ngjarjes, i riu i dhunuar u dërgua në spital për të marrë mjekim.
Grupi hetimor, në bazë të verifikimeve paraprake, po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e dy autorëve. Por, nga ana tjetër, oficerët e Policisë nuk përjashtojnë pistën, që grabitja të jetë inskenuar nga i riu.
“Ka ndryshuar tri herë vendin e saktë të ngjarjes gjatë marrjes në pyetje. Nuk ishte i qartë në deklarimet e tij”, mësohet nga burime pranë Policisë. Një tjetër element që çon policinë në këtë përfundim është dhe fakti se, ndryshe nga dy muajt e fundit, fitimi i pikës së bastit ditët e fundit ishte shumëfishuar.
“Në dy muaj ka pasur një fitim prej 1400 mijë lekë, ndërsa vetëm në pak ditë, gjatë festave, ka pasur një xhiro prej 1600 mijë lekë”, bën të ditur Policia, duke iu referuar deklarimit të bërë nga pronari i pikës së basteve. Nisur nga kjo e dhënë, Policia dyshon se i riu mund të ketë rritur artificialisht xhiron, duke luajtur vetë baste dhe për këtë arsye ka inskenuar grabitjen në fund.
“Më datë 03.01.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi shtetasi A.H., 20 vjeç, ka kallëzuar se në Delvinë, pasi ka mbyllur lokalin rrugës për në banesë, te “Kthesa e Frigoriferit” në rrugën “Veli Kallapoli”, dy persona të maskuar e kanë goditur me grusht dhe i kanë marrë një shumë lekësh të xhiros ditore”, bëhet e ditur nga Policia.










