Thaçi porosit nga Parisi: Nuk ka ndarje as ‘Republika Srpska” në Kosovë (VIDEO)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Parisi, ku është duke qëndruar me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, për të shënuar përfundimin e Luftës së Parë Botërore, ka mbajtur konferencë shtypi ku edhe një herë foli për dialogu me Serbinë dhe idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë.

Thaçi ka thënë se një marrëveshje ligjërisht detyruese është e domosdoshme për përfundimin e dialogut me shtetin fqinj.

“Dialogu është për arritje të marrëveshjes paqësore mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai, duke vazhduar se “pika e parë e marrëveshjes do të përfshinte njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Thaçi ka ritheksuar edhe një herë se në Paris nuk do të flasin për dialogun me presidentin Vuçiq.

“Këtu në Paris, ne do të jemi në takime të përbashkëta, nuk është planifikuar diçka në rrafshin bilateral. Por nuk përjashtohet mundësia e përshëndetjes apo diçka e tillë. Unë do të sillem me dinjitet dhe integritet si president i vendit”, tha ai.

Duke folur për dialogun ka bërë të ditur se nuk do të ketë njohje reciproke ndërmjet të vendeve pa i njohur kufijtë.

“Nuk ka njohje pa i njohur kufijtë e njëri-tjetrit. Dy komisione kredibile të secilit shtet do të punojnë për demarkimin e kufirit, siç ka ndodh me Maqedoninë dhe Malin e Zi”.

“Por, e ritheksoj, nuk do të ketë as ndarje dhe as Asociacion me kompetenca ekzekutive – do të thotë nuk do të ketë kufij të bazuar në vija etnike”, tha ai.

“Nuk do të ketë ndarje, e as Asociacion me elemente ekzekutive, që nënkupton krijimin e ‘Republika Srpska’ në Kosovë”, tha presidenti.

Thaçi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

“Nuk e kuptoj dhe nuk e arsyetoj asnjë vend të Bashkimit Evropian për rezervat që kanë në procesin e liberalizimit të vizave. Të gjitha kriteret i kemi plotësuar… Unë do ta shfrytëzojë mundësinë që me të gjithë liderët, maksimalisht të diskutojmë drejtpërderjt për këtë çështje dhe dua të besoj fuqishëm që edhe presidenti Macron do të jetë një shtytës në këtë drejtim edhe për vendet e tjera të BE-së. Përndryshe nëse nuk ndodhë të mos vihet në agjendë do të jetë një rrezik, jo me fajin tonë që nëse Kosova këtë herë nuk hyn në agjendë, liberalizimi të shtyhet për një periudhë të pacaktuar”, tha ai.

Më tej ai tha se “edhe ne si Kosovë duhet të prodhojmë argumente politike të pranueshme dhe e jo të prodhojmë vendime befasuese për vendet e Bashkimit Evropian, të cilat mund të krijojnë rrethana të paqarta dhe skeptike të lidershipit të vendeve të BE-së për Kosovën”.

Thaçi u shpreh i kënaqur që Kosova po merr pjesë në këtë ceremoni.

“Sot është një mrekulli kur sheh duke valuar flamurin e vendit tonë krahë për krahë me shtetet e Evropës. Kosova po kosilidohet dhe po afirmohet si shtetet e tjera”, u shpreh Thaçi duke e falënderuar homologun e tij francez Emmanuel Macron.

Thaçi këtë ceremoni e vlerësoi si mundësi të mirë për tu takuar me liderët e shumtë.

Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë liderët më të fuqishëm të botës, si presidenti i SHBA-së, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe shumë krerë shtetërorë nga mbarë bota.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu