Thaçi: Themelimi i Ushtrisë së Kosovës proces pakthyeshëm, ajo i kontribuon paqes në rajon

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë për media, para nisjes për në New York, ku do të përfaqësojë Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha se pavarësisht diskutimeve në Këshillin e Sigurimit formimi i Ushtrisë së Kosovës është proces i pakthyeshëm.

Thaçi të hënën do të marrë pjesë në mbledhjen e KS të OKB, të thirrur nga Rusia e Serbia, pas miratimit të ligjeve nga Kuvendi i Kosovë për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Ai ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës për votimin e ligjeve për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ushtria u krijua në përputhshmëri të plotë me mandatin kushtetues ligjor ka qenë ditë e mrekullueshme me një votim pothuajse unanim në Kuvendin e Kosovës. Vendimi ka bashkuar gjithë njerëzit në Kosovë. Ndihem shumë mirë që ushtria e Kosovës është themeluar pas punës dhe angazhimit të madh që e kemi pas me partnerë ndërkombëtarë”, ka deklaruar Thaçi.

Më tej ai ka thënë se pjesëmarrja e komuniteteve në Ushtrinë e Kosovës është pozitive.

“Kemi 10% nga komunitetet, 5% nga komuniteti serb. Ushtria e Kosovës do të prodhojë më tepër paqe dhe stabilitet. Themelimi i ushtrisë, pavarësisht diskutimit që do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit është proces i pakthyeshëm. Nëse Serbia është e zemëruar me formimin e ushtrisë, serbët e Kosovës janë rehat me themelimin e ushtrisë”, tha presidenti Thaçi.

Ai tutje ka thënë se ushtria e vendit do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

Thaçi foli edhe për rezolutën për dialogun me Serbinë e cila është votuar dje në Kuvend, duke thënë se ishte një lajm i përgjegjësisë kombëtare dhe kushtetuese.

“Pas themelimit të ushtrisë lajmi tjetër i rëndësishëm është edhe votimi në Kuvend nga deputetet të një rezolute dhe një ekipi sa më të gjerë politik duke i krijuar mundësi edhe shoqërisë civile për tu përgatitur për fazën e fundit për dialogun me Serbinë. Ky do të jetë dialogu final dhe do të rezultojë me marrëveshje të përhershme dhe njohje reciproke”, u shpreh Thaçi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu