Thaçi trillon përsëri: 90% e Qeverisë dhe 80% e popullit e përkrahin ndarjen e Kosovës

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se skena politike është plotësisht në favor të dialogut, negociatave dhe të arritjes së një marrëveshjeje, duke mos e përjashtuar edhe korrigjimin. Sikur të ketë bërë matje, Thaçi thotë se 80 për qind e qytetarëve qëndrojnë pas idesë së tij. Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj shprehet kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, Thaçi thotë se ministrat e Haradinajt i ka kah vetja.
Megjithatë, ai nuk e ka lënë as këtë rast pa e shpotitur kryeministrin Haradinaj, duke thënë se ata që flasin për luftë dhe tragjedi më së paku janë të interesuar për probleme dhe konflikte.

“Për luftë kanë folur edhe në kohën e demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se nuk ka individ që do të mund ta bllokojë këtë proces, sepse do të shkohet në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre.

“Sot, 90 për qind e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës e mbështesin korrigjimin. 80 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit. Edhe presidenti, edhe kryeministri mund të ndërrohen, por korrigjimi do të ndodhë. 98 për qind e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e mbështesin bashkimin e Luginës me Kosovën. Ndërsa, mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin kërkesën që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës. Nuk ka individ që do mund ta bllokojë këtë proces, sepse ne do të shkojmë në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Thaçi.

Mbrëmë Thaçi ka marrë pjesë në një debat me analistët Arjan Vasjari dhe Skënder Minxhozi, në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu