Tjetër goditje për Ahmetin, Blerim Idrizi braktis BDI-në

Vazhdojnë largimet në BDI. Është Blerim Idrizi ai i cili ka njoftuar dorëheqjen nga funksioni i anëtarit të Këshillit të përgjithshëm të BDI-së, duke bërë të ditur njëkohësisht se ndërpret edhe aktivitetin e tij partiak.

Në një mesazh drejtuar bashkëpartiakëve, miqve dhe aktivistëve të BDI-së, Idrizi thotë se vendimi është marrë për shkaqe personale, por edhe parimore.

“Nuk duhet ta mbaj peng këtë funksion dhe është koha t’u hapet rrugë aktivistëve të tjerë, të cilët në këtë moment mund të japin një kontribut më efektiv”, shprehet Idrizi.

Ai i referohet edhe pasojave të humbjes në zgjedhjet lokale dhe ristrukturimeve brenda degëve të partisë, duke theksuar se nuk e sheh më të arsyeshme të jetë pjesë e organeve më të larta të BDI-së.

Idrizi thotë se gjatë gjithë angazhimit të tij politik ka kontribuar në mënyrë “të sinqertë, transparente dhe të palëkundur”, ndërsa përmend edhe përballjen me, siç shprehet ai, “shpifje dhe përpjekje për njollosjen e figurës të tij”.

Dorëheqja e Blerim Idrizit vjen në një periudhë të përballjes me pasoja politike dhe riorganizime të brendshme në BDI, duke shtuar pikëpyetjet mbi gjendjen e strukturave të partisë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale.

Largimi i Idrizit është një tjetër sinjal se pakënaqësitë dhe lëvizjet brenda strukturave të BDI-së vazhdojnë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu