Nga dita e nesërme rikthehet transporti publik me pagesë. Autoritetet e Shkupit kumtuan se masa për autobusë pa pagesë po ndërpritet pasi gjatë ditës së sotme stacionet matëse kanë matur nivel mesatar të ndotjes, më pak se 200 mikrogram për metër kub, ndërkaq shtuan se kjo masë do të aktivizohet gjithnjë kur ndotja të kalojë kufirin me mbi 200 mikrogram grimca për metër kub, përcjell Albeu.com.
Ekipi i televizionit Alsat inspektoi nga afër për të parë se sa qytetarët e shfrytëzojnë transportin publik si masë preventive kundër ndotjes së ajrit, por nga filmimet e kamerës u vërejt se numri i qytetarëve që udhëtojnë me autobusë ishte tejet i vogël, derisa frekuentim i veturave në kryeqytet tejet i madh.
Gjatë ditës së djeshme ministria e Ambientit Jetësor kumtoi se Qyteti i Shkupit dhe Tetova janë përfshirë nga nivel alarmant i ndotjes për dy ditë me radhë. Pas kësaj Qyteti i Shkupit vendosi që të fillojë zbatimi i masave urgjente afatshkurta të cilat u propozuan nga ana e Qeverisë javën e kaluar. /albeu.com/








