Tre drejtorët më të fuqishëm të emëruar nga BDI-ja që pritet të vijnë dhe të bëhen pjesë e qverisë janë Festim Halili me Ndërmarrjen Publike “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura” , me Byronë për Furnizime Publike është propozuar të udhëheq Armir Sadiki si dhe Bekim Memeti është propozuar të udhëheq me Ndërmarrjen Publike “Rrugët Shtetërore”.
Sot qeveria hoqi nga rendi i ditës pikën për emërimin e drejtorëve të rinj. Kjo sipas organit ekzekutiv është bërë për shkak të procedurave juridike të cilat duhet ndjekur për çdo emërim. Të mërkurën Qeveria pritet të mbajë seancë të veçantë për emërimet e reja.
Drjetorët tjerë që janë propozuar nga BDI dhe LSDM janë Pajazit Lika është propozuar zëvendësdrejtor në Zonat për Zhvillim Teknologjik dhe Industrial. Faruk Ismaili është propozuar për drejtor Ekzekutiv në Bankën për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut. Emrat e propozuar, nga partia e Ali Ahmetit thonë se i kanë kaluar edhe filtrat e degëve nga të cilat vijnë dhe se gëzojnë mbështetjen e tyre. Ndërkohë nga propozimet e LSDM-së, Vasko Kovaçevski është emëruar drejtor i përgjithshëm në Shoqatën Aksionare Elektranat e Maqedonisë së Veriut. Kovaçevski deri tani ka qenë drejtor i TEC Manastir, ndërsa paraprakisht ishte deputet.
Në seancën e së mërkurës Qeveria pritet t’i emëroj edhe drejtorët dhe zëvendësit e tyre në 12 ndërmarrjet që ndodhen në kompetencat e Qeverisë. Emërimi i tyre vjen në bazë të ligjit të miratuar nga Qeveria që ndërmarrjet në kompetencë të saj të kenë zëvendësdrejtor, ndërsa partnerët e koalicionit BDI-LSDM janë marr vesh që në ndërmarrjen ku njëri subjekt ka drejtor, subjektit tjetër t’i takojë posti i zëvendësdrejtorit. Në kuadër të emërimeve, partnerët e koalicionit nuk kanë negociuar për ndarjen e drejtorive të cilët mbetën pa udhëheqës pas largimit të RDK-së nga Qeveria.










