Trondit kryeredaktorja e medias ruse, tregon synimin e Moskës: Zia globale e bukës do të fillojë tani

Një deklaratë tronditëse, por edhe e neveritshme, vjen nga Rusia. Kryeredaktorja e lajmeve në një media ruse ka folur me “superlativa” për krizën e një zie buke globale të shkaktuar nga bllokada e grurit të Moskës.

Margarita Simonyan, kryeredaktore e kanalit të lajmeve në Rusi RT, i bëri komentet e pështira në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut (SPIEF), shkruan Daily Mail.

Ajo tha se kishte dëgjuar disa rusë të thoshin: “E gjithë shpresa jonë është te zia e bukës”.

“Ja çfarë do të thotë,” tha ajo në forum. “Do të thotë se zia e bukës do të fillojë tani dhe ata do të heqin sanksionet ndaj nesh dhe do të jenë miq me ne, sepse do ta kuptojnë se është e nevojshme”.

Më shumë se 20 milionë tonë drithë janë bllokuar brenda Ukrainës pasi Rusia bllokoi portet e vendit në Detin e Zi.

Çmimet globale të ushqimeve po rriten si rezultat i pushtimit rus dhe është rritur frika se mungesat mund të shkaktojnë një zi buke globale dhe të përkeqësojnë krizën e urisë në Jemen dhe Etiopi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti Afrikën “një peng” të pushtimit, ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell këtë javë e quajti bllokadën ruse “një krim të vërtetë lufte”.

Kombet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje midis Ukrainës, Rusisë dhe Turqisë për të nxjerrë drithin nga vendi, por nuk ka arritur të bëjnë shumë përparim deri më tani.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka propozuar një plan për të eksportuar grurë me hekurudhë, me kapanone të përkohshme të ndërtuara përgjatë kufirit evropian të Ukrainës – përfshirë Poloninë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu