Trump del kundër dhe kritikon idenë e ushtrisë europiane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka kritikuar idenë e ushtrisë evropiane të aktualizuar së fundmi nga presidenti francez Emmanuel Macron, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Macron mbron idenë e tij se Evropa duhet të formojë ushtrinë e saj për t’u mbrojtur nga SHBA, Kina dhe Rusia. Por Gjermania ishte ajo që sulmoi Evropën në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Çfarë bëri Franca në atë kohë? Kishte filluar të mësonte gjermanishten deri në momentin që SHBA doli si shpëtimtar. Ju ose do të paguani NATO-n, ose nuk do të paguani”, ka shkruar Trump në rrjetin social Twitter.

Pas këtij postimi, Trump bëri edhe disa postime të tjera të njëpasnjëshme, në të cilat pohoi se Macron ka propozuar këtë ide për shkak të popullaritetit të tij të ulët në mesin e francezëve.

Në postimet e tjera, ai ka tërhequr vëmendjen në çekuilibrin e tarifave doganore të zbatuara në tregëtinë e verës mes Francës dhe SHBA-së.

“Në tregti, Franca prodhon verëra të shkëlqyera. Edhe SHBA po ashtu, por problemi është se Franca vendos tarifa doganore të mëdha, gjë që e vështirëson SHBA t’i shesë verë Francës. Amerika ia lehtëson Francës shitjen e verës. Zbaton tarifa shumë të vogla. Kjo situatë nuk është e drejtë, duhet të ndryshohet menjëherë”, ka shkruar presidenti amerikan.

Ndërkaq, në lidhje me francezët, Trump është shprehur se “Nuk ka ansjë vend më nacionalist se Franca. Janë njerëz me shumë krenari, dhe kanë të drejtë që të jenë të tillë”.

Trump postimeve të tij u ka dhënë fund me shprehjen “Ta ribëjmë Francën të madhe!”, slogan të cilin e ka përdorur gjatë fushatës së tij dhe në këtë rast e ka përshtatur për Francën.

Trump dhe Macron u takuan të dielën në Paris në ngjarjen përkujtimore të 100-vjetorit të marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu