Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se mendon që kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është një njeri shumë i vështirë.
“Ai është një njeri shumë i vështirë dhe, për të qenë i sinqertë me ju, ai duhet të jetë shumë mirënjohës që e bëmë këtë. Sepse nëse Irani do të kishte armë bërthamore, Izraeli nuk do të ekzistonte për dy orë”, tha Trump në një intervistë me The New York Times, duke komentuar arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Iranin.
Ai shtoi se Netanyahu pothuajse e vuri në pikëpyetje marrëveshjen përfundimtare me Iranin me sulmet e tij ndaj Libanit.
Trump ka thënë se nëse Irani nuk arrin një marrëveshje përfundimtare bërthamore me SHBA-në, ai do të rifillojë sulmet ushtarake kundër Teheranit ose do ta bëjë SHBA-në “mbrojtësin e Lindjes së Mesme” në këmbim të 20 përqind të të ardhurave të rajonit.
Trump vlerësoi se ishin sulmet me raketa dhe ajrore ndaj Iranit që e detyruan Teheranin të pranonte marrëveshjen.
Duke folur për marrëveshjen përfundimtare me Iranin, Trump tha se ajo do ta kufizonte pasurimin e uraniumit nga Teherani në nivele të ulëta “që nuk mund të përdoren kurrë për qëllime ushtarake”.
Kur u pyet nëse këto kufizime do të jenë të njëjta me ato në marrëveshjen e administratës së Barack Obamës, e cila parashikonte pasurimin e uraniumit në 3.67 përqind, Trump nuk e specifikoi shifrën, por tha se marrëveshja e re do të sigurojë që “Irani mund të pasurojë uranium ekskluzivisht për qëllime jo-ushtarake. Përgjithmonë”.










